TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një lajm i rëndë ka tronditur Korçën mesditën e kësaj të enjteje, pasi biznesmeni i njohur korçar Geni Braholli është ndarë papritur nga jeta si pasojë e një arresti kardiak.
Lajmi i trishtë u përhap shpejt në qytet përmes reagimeve prekëse të familjarëve, miqve dhe njerëzve që e njihnin nga afër, të cilët shprehën dhimbjen e madhe për humbjen e tij të parakohshme.
Sipas informacioneve paraprake, Braholli dyshohet se ka pësuar arrest kardiak gjatë gjumit, çka i ka shkaktuar ndalimin e menjëhershëm të zemrës. Ai nuk është zgjuar më, duke lënë pas trishtim të thellë te familja dhe të afërmit.
Geni Braholli ishte pronari i furrës së bukës “Cegora”, një biznes mjaft i njohur dhe i vlerësuar në Korçë. Për shumë qytetarë ai njihej si një njeri punëtor, i qetë dhe i respektuar në komunitet.
Ndarja e tij nga jeta në një moshë të re ka lënë një boshllëk të madh jo vetëm te familjarët, por edhe te miqtë, klientët dhe të gjithë ata që patën rastin ta njihnin nga afër.
Mesazhet e ngushëllimit kanë qenë të shumta gjatë orëve të fundit, ndërsa Korça sot është zgjuar më e trishtë nga humbja e një prej njerëzve të saj të njohur në fushën e biznesit.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi ka reaguar me dhimbje për ndarjen nga jeta të biznesmenit korçar, Geni Braholli. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Peleshi shpreh trishtimin për humbjen e Brahollit, teksa e përshkruan atë si një njeri të mirë, që dinte të qëndronte pranë njerëzvbe dhe të linte gjurmë pozitive te të tjerët.
Ai thekson se humbje të tilla të bëjnë të reflektosh për jetën, kohën dhe vlerat njerëzore, ndërsa shton se Geni ishte nga ata njerëz që zgjodhi të ishte i mirë gjithmonë, jo prej frikës, por prej dashurisë për njeriun.
“Ka disa humbje që i ndjen edhe kur nuk i ke pranë. Humbja e Genit ishte nga ato që të bëjnë të mbash frymën, të trishtohesh dhe të ringresh pyetjet e mëdha që lidhen me jetën, me arsyen dhe mosarsyen, me rendin e gjërave, me kohën, me njeriun. Në ato momente, ka diçka hyjnore që ulet mes nesh dhe që na bën të mendojmë më tepër për të mirën dhe të përbashkëtën tonë, përballë vdekjes që gjithmonë harrojmë sa pranë e kemi.
Për ato pak çaste të gjithë bëhen më të mirë.
Por ka disa njerëz të veçantë, si Geni, që zgjedhin të jenë të mirë gjithë kohës — jo prej frikës, por prej dashurisë për njeriun. Lamtumirë, Geni”, shkruan Peleshi.