TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Protesta e 27-të kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë është zhvilluar këtë mbrëmje në Tiranë, ku mijëra qytetarë janë mbledhur sërish në kuadër të një mobilizimi të vazhdueshëm qytetar, duke kërkuar largimin e qeverisë dhe hapjen e një procesi të ri politik.

Qytetarë nga zona të ndryshme të vendit janë bërë pjesë e tubimit, duke deklaruar se kërkesat e tyre nuk lidhen vetëm me ndryshimin e qeverisë aktuale, por edhe me një ndryshim më të gjerë të sistemit politik, të cilin e konsiderojnë të dominuar nga e njëjta klasë politike prej dekadash.

Në protestë janë parë pankarta me mesazhe të forta politike: “35 vite pushtet, 3 emra, 1 fat: Llogaridhënie”,“Europa mbështet demokracinë, jo korrupsionin”, “Shqipëria nuk është në shitje”,“O Ramë, nuk shkohet në Europë si Putini dhe Xi”, “Nuk ju mjaftuan 36 vite në kurrizin e shqiptarëve, zotërinj PUSHT-etarë”.





Protestuesit kanë mbajtur gjithashtu flamuj amerikanë, ndërsa gjatë tubimit janë dëgjuar thirrje për ruajtjen e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara dhe mesazhe se kundërshtimi i tyre lidhet me qeverinë dhe jo me partnerët ndërkombëtarë.


“Ne jemi populli më pro-amerikan në botë. Rama jep dorëheqjen! Me Shqipërinë mos bëj pazar”, kanë deklaruar disa qytetarë, thirrje që janë shoqëruar me brohorima nga pjesëmarrësit.


Një nga momentet që tërhoqi vëmendjen ishte një student i cili kishte vendosur një megafon në shpinë, duke ironizuar kryeministrin Rama për atë që ai e konsideroi mungesë dëgjimi ndaj zërit të qytetarëve.
“Meqë Rama e ka të vështirë të na dëgjojë, thamë të sjellim një sistem. Numrat dhe qëndrueshmëria janë. Ne duam që Rama të japë dorëheqjen, të ketë zgjedhje të lira pa manipulime dhe patronazhistë. Duam një të ardhme në Shqipëri”, u shpreh studenti.

Aktivisti Arben Kola gjatë fjalës së tij deklaroi se sipas tij çështja e qeverisë dhe kryeministrit do të vendoset nga drejtësia.
“Do të jetë SPAK ai që do e arrestojë. Do të jetë drejtësia ajo që do të vendosë”, tha ai.


Gjatë protestës, shumë qytetarë morën fjalën para të pranishmëve, duke ndarë shqetësimet e tyre, historitë personale dhe mesazhet kundër qeverisë, ndërsa kërkuan ndryshim politik dhe vazhdimin e kauzës së tyre.

Në protestë mori pjesë edhe Mithat Havari, i cili u shpreh në mbështetje të mobilizimit qytetar dhe bëri thirrje për bashkim.
Gjatë fjalës së tij ai ngriti akuza ndaj qeverisë dhe deklaroi se protesta është një reagim i qytetarëve ndaj problemeve që, sipas tij, kanë prekur vendin.


Pjesë e protestës ishte edhe nipi i ish-komandantit të UÇK-së, Tahir Sinani. Ai mbajti një fjalim para protestuesve, ku foli për qëndrimin e tij politik dhe kritikoi deklarata të bëra nga përfaqësues të mazhorancës.
Ai deklaroi se deri së fundmi kishte qenë anëtar i Partisë Socialiste, por se pas zhvillimeve të fundit kishte ndryshuar qëndrim.

Pas përfundimit të fjalimeve në shesh, protestuesit pritet të marshojnë drejt godinës së Kryeministrisë, ku do të vijojë protesta e 27-të me radhë.


Tubimi pritet të shoqërohet me thirrje për dorëheqjen e Edi Ramës dhe largimin e qeverisë, ndërsa organizatorët dhe pjesëmarrësit kanë deklaruar se do të vijojnë mobilizimin e tyre qytetar.