AKTUALITET, 19 Shkurt 2024, 21:42

Neritan Sejamini: Shumica e ndërtuesve shqiptarë janë kriminelë të dënuar jashtë, përfitojnë edhe fonde publike

Neritan Sejamini: Shumica e ndërtuesve shqiptarë janë

Analisti Neritan Sejamini, duke shpjeguar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV forcimin e lekut dhe rënien e fortë të euros, deklaroi se një pjesë e biznesmenëve të mëdhenj shqiptarë, janë me të shkuar kriminale. Ai tha se shumica e ndërtuesve shqiptarë janë njerëz të dënuar jashtë Shqipërisë dhe këta janë edhe kontraktues të mëdhenj të fondeve publike.

“Biznesmenët shqiptarë, shumica janë kriminelë. Ti e di shumë mirë se kush është arrestuar dhe çfarë kanë mbrapa. Janë të lidhur me krimin, janë njerëz të drogës që ndërtojnë. Shumica e ndërtuesve shqiptarë janë njerëz të dënuar jashtë Shqipërisë. Ke trafikantë të dënuar me dhjetra vjet që janë ndërtues të mëdhenj në Shqipëri. Dhe janë kontraktues të mëdhenj të fondeve publike.

Krimi në Shqipëri lulëzon sepse qeveria u ka krijuar kushtet që krimi t’i pastrojë paratë pa patur pasoja legale. Shumica e kullave që ndërtohen në mes të Tiranës kushtojnë 100-120 milionë euro pa patur asnjë kokërr leku në llogari bankare nga kompani që nuk kanë asnjë aktivitet. 90 për qind e ndërtuesve nuk kanë asnjë aktivitet financiar, asnjë llogari bankare.

Duhet të heqim dorë nga mentaliteti se krimi sjell progres, zhvillim. E kundërta sjell regres. Natyrisht në Tiranë mund të ketë restorante të mira për shkak të krimit, makina luksoze, femra që bëjmë operacione plastike, argëtimi u përshtatet shijeve të kriminelëve, mund të kesh politikanët me ta, kokaina bën kërdinë dhe elira shqiptare është e zhytur në kokainë. Kemi krijuar varësi nga paratë e ndërtimit, siç është pushteti lokal dhe një pjesë e qeverisë, pra kemi krijuar varësi nga krimi. Pra etika, shijet morali varen nga krimi. Të ardhurat e qeverisë varen nga krimi, ndërkohë kur vjen puna te ekonomia, GDP-ja përbëhet kryesisht nga ndërtimi.”-tha Sejamini, ndër të tjera.