AKTUALITET, 19 Qershor 2026, 16:08

Në prag të sezonit, institucionet prezantojnë planin për sigurinë ushqimore, Salla: Nuk duhet të ketë asnjë kompromis

Në prag të sezonit, institucionet prezantojnë planin për

Me sezonin turistik në kulm dhe pritshmëritë për 15 milionë vizitorë këtë vit, siguria ushqimore është vendosur në qendër të vëmendjes së institucioneve shqiptare.

Në Vlorë u zhvillua një takim në kuadër të planit “Siguria Ushqimore 2026”, me pjesëmarrjen e Drejtoreshës së Përgjithshme të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), Blerina Gjylameti, Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, kryetare e bashkise vlore Bruna Mersini dhe Kreut të AKU Vlorë, Endri Hyseni, si dhe përfaqësuesve vendorë dhe operatorëve turistikë të qarkut.

Qarku i Vlorës mbetet një nga më të rëndësishmit në vend, jo vetëm për turizmin, por edhe për ekonominë kombëtare. Në këtë kontekst, siguria ushqimore vijon të jetë një prioritet kryesor, veçanërisht gjatë sezonit turistik me fluks të lartë vizitorësh.

Në fjalën e saj, Drejtoresha e Përgjithshme e AKU-së, Blerina Gjylameti, theksoi se siguria ushqimore është pasaporta më e mirë e vendit dhe një faktor i rëndësishëm për besimin e publikut.

“Siguria ushqimore nuk është vetëm detyrim ligjor por edhe vula e besueshmërisë së Shqipërisë. Në Vlorë kemi 1102 subjekte operatorë ushqimorë që i kemi kategorizuar në bazë risku. 882 prej tyre klasifikohen me risk të mesëm. Kemi 523 restorante, shumë markete, furra buke që duhen inspektuar. Ne kemi ndryshuar të gjithë qasjen e AKU-së për mënyrën se si duhet të operojmë duke qenë partner me të gjithë operatorët e biznesit, duke qenë informues dhe ndërgjegjësues që të kalojmë tek parandalimi i shkeljeve. Ne ndajmë të gjithë përgjegjësinë për mbarëvajtjen e një prej sektorëve më të rëndësishëm të Shqipërisë që po përjeton një moment të rëndësishëm të zhvillimit turistik. Këtë vit presim mbi 15 milionë turistë” tha Gjylameti

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, u shpreh se vendi ndodhet në një fazë shumë të rëndësishme zhvillimi dhe se qarku i Vlorës ka një potencial të jashtëzakonshëm turistik. Ai nënvizoi se garantimi i sigurisë për pushuesit, veçanërisht siguria ushqimore, mbetet prioritet, ndërsa kontrollet në terren duhet të jenë efikase dhe pa asnjë tolerancë ndaj shkeljeve.

“Ky takim është i rëndësishëm për Vlorën. Ne po i orientojmë të gjithë operatorët dhe institucionet në terren që të zbatojnë detyrën dhe të përcjellin informacionet e duhura në ccdo subjekt. Kemi çelur sezonin turistik por që të garantojmë një turizëm të madh që ne presim këtë vit, institucionet duhet të jenë në gatishmëri dhe të krijojnë bashkëpunim me AKU, mes biznesve, bashkisë etj. Është një mundësi shumë e mirë ekonomike por edhe përgjegjësi institucionale që të garantojmë sigurinë e qytetarëve dhe të vizitorëve. Pikërisht për këtë arsye, siguria ushqimore duhet të jetë në qendër të vëmendjes sonë ku çdo produkt të vendoset në treg duhet të respektojë standardet dhe të mbrojë shëndetin publik. Kontrolli në terren duhet të jetë i vazhdueshëm dhe i paanshëm. Nuk duhet të ketë asnjë kompromis dhe të krijojmë një kulturë standardesh ku të kuptohet që respektimi i rregullave është investim në cilësi dhe reputacion. Për këtë arsye, po vijojmë një nga proceset më të rëndësihme që është kategorizimi i operatorëve ushqimorë me standarde të BE-së. Ne duhet të bëjmë gati bizneset që çdo produkt që shërbejmë në tryezë të jetë i garantuar” tha Salla.

"Vlora ka nevoje për bashkëpunimin e të gjithëve dhe siguria ushqimore mbetet prioritet gjatë sezonit” theksoi nga ana e saj kryetarja e bashkisë Brunilda Mersini  

Nga ana e tij, Kreu i AKU Vlorë, Endri Hyseni, konfirmoi rëndësinë e planit të masave për sezonin turistik, duke theksuar gatishmërinë 24-orëshe të strukturave të institucionit. Ai vuri në dukje gjithashtu nevojën për bashkëpunim të ngushtë me operatorët ekonomikë dhe turistikë, me qëllim evidentimin dhe zgjidhjen në kohë të çdo problematike gjatë sezonit.

Pjesëmarrësit në takim vlerësuan se siguria ushqimore mbetet një nga elementët kyç për suksesin e sezonit turistik, duke ndikuar drejtpërdrejt në eksperiencën e vizitorëve dhe në imazhin e destinacionit turistik të Vlorës.