TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Aksidenti fatal në ish-Kënetë të Durrësit pasditen e 3 majit, ku humbën jetën 2 të mitur dhe u plagos rëndë një i tretë, nga papërgjegjshmëria totale e një të dehuri në timon, tronditi opinionin publik.
Njëzëri, shumica shprehu indinjatë dhe kërkoi ashpërsim të Kodit Rrugor, për shoferë që përgjakin rrugët dhe marrin jetën e të pafajshmëve. Nuk vonoi dhe propozimet erdhën, tashmë të votuara në Kuvend dhe shumë shpejt do të hyjnë në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare.
Nëse je i dehur, je ndëshkuar më parë nga policia për këtë shkelje të Kodit Rrugor dhe drejton makinën sërish me më shumë se 0.5 g/litër në gjak, patenta do të hiqet përgjithmonë, pa asnjë mundësi rimarrje në autoshkollë. Kjo masë drastike bëhet për të zhdukur nga rruga të dehurit kronikë, të cilët konsiderohet shoferët më të rrezikshëm.
Nëse je pa patentë në moshë madhore dhe kapesh nga policia duke qarkulluar me automjet, përveç gjobës, për 1 vit nuk do të mundësh të pajisesh me një të tillë, pra nuk ke të drejtë të shkosh në autoshkollë për t’u bërë shofer. Masa është më e rëndë nëse je i mitur dhe kapesh në timon. Kur të jesh 18 vjeç, nuk do të mund të marrësh patentë si bashkëmoshatarët. Duhet të kalojnë të paktën edhe 2 vjet të tjera që të paraqitesh në autoshkollë.
Statistikat e ngjarjeve rrugore tregojnë se shoferët e rinj që sapo kanë marrë një leje drejtimi, kanë probabilitet të lartë të përfshihen në aksidente, shpejtësi dhe shkelje të tjera. Për këtë është parë e udhës që kjo kategori shoferësh, në 2 vitet e para të pajisjes me patentë, nuk duhet të vërë asnjë pikë alkool në buzë kur është në timon, shpejtësia në autostradë duhet të jetë maksimumi në 90 km/h dhe 80 km/h në rrugët e tjera jashtë qendrave të banuara. Nëse nuk respektohen, ndëshkimi me gjobë është nga 5 mijë deri në 15 mijë lekë, përveç pezullimit të patentës 1 muaj dhe heqjes së pikëve. Nëse gjatë kësaj faze prej 2 vitesh shoferi bën 2 shkelje brenda 1 viti, kufizimet e shpejtësisë apo qarkullimit me orare, zgjaten edhe me 1 vit, duke e çuar në 3.
Ndryshim i rëndësishëm bëhet edhe te pezullimi i lejes së drejtimit. Nëse deri më tani, pezullimi mund të konvertohej me dhënien e dyfishit të vlerës së gjobës nga i gjobituri, si nga të huaj dhe nga shqiptarë, tashmë për patentat që lëshojnë autoritetet tona, nuk ekziston. Pezullimi i patentës bëhet automatikisht.
Rritje të gjobës ka edhe për shpejtësinë në zona të banuara, pranë shkollave, atyre që bëjnë gara me makina apo bëjnë manovra agresive. Nëse deri më tani gjoba ishte 10 deri në 40 mijë lekë, shkon nga 20 deri në 60 mijë lekë. Nëse një shofer kapet 2 herë në një vit me celular në dorë në timon, patenta i pezullohet 3 muaj. Deri tani Kodi Rrugor e kishte këtë shkelje me 3 herë. Celulari ndalohet të përdoret jo vetëm nga shoferët e makinave, por edhe drejtuesit e biçikletave, motorëve deri në 50 kubik dhe monopatinave.