AKTUALITET, 4 Korrik 2026, 11:37

Ndërtoi një hotel pa leje në zonën e Ksamilit, gjykata e Sarandës dënon me dy vite burg 52-vjeçarin (Emri)

Ndërtoi një hotel pa leje në zonën e Ksamilit, gjykata e

Një hotel i ndërtuar pa leje në Ksamil është bërë shkak për dënimin me 2 vite burg të një 52-vjeçari shqiptar me shtetësi britanike nga Gjykata e Sarandës. I dënuari është Gazmir Mediu, 52 vjeç.

Sipas vendimit të gjykatës, objekti është ngritur dhe përfunduar në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, duke u shndërruar në një strukturë akomoduese funksionale.

Hetimet kanë zbuluar se punimet kanë vijuar edhe pasi pronari ishte arrestuar në flagrancë dhe ishte proceduar penalisht. Megjithatë, vendimi nuk është ende i formës së prerë, pasi çështja pritet të shqyrtohet në Gjykatën e Apelit.

Sipas dosjes hetimore, më 16.05.2023 është konstatuar nga specialisti i Policisë së Rendit në zonë se në lagjen nr. 2, Ksamil, po kryhej një ndërtim për të cilin dyshohej se nuk ishte në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi. Punimet, sipas hetimeve, po kryheshin nga shtetasi Gazmir Mediu dhe bëhej fjalë për një objekt dykatësh me konstruksion betoni dhe kolona.

Policia ka proceduar menjëherë me arrestimin në flagrancë të të dyshuarit, i cili më pas është lënë i lirë nga gjykata. Megjithatë, ndërsa pritej ndalimi i punimeve pas ndërhyrjes së autoriteteve dhe masave të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) të Bashkisë Sarandë, një akt ekspertimi i kryer rreth një vit e gjysmë më vonë ka konstatuar se objekti ishte vënë në funksion si hotel.

Ekspertiza, e realizuar nga inxhinierët Juvena Gjika dhe Behaudin Dobi, si dhe analiza gjeohapësinore përmes platformës Google Earth, ka treguar zhvillimin e ndërtimit në kohë. Sipas të dhënave, në mars 2022 ndërtesa ishte vetëm 39 m², në maj 2023 është evidentuar sheshi i ndërtimit, ndërsa në shtator 2024 objekti rezultonte i përfunduar, i mobiluar dhe në funksion si hotel.

Gjykata ka vlerësuar se organizimi funksional i objektit, me recepsion, holl pritës, pesë dhoma apo garsoniere, depo dhe poste parkimi, si dhe fakti se gjatë inspektimit stafi ishte larguar për shkak të pranisë së pushuesve, tregojnë qartë se ndërtimi nuk ishte për përdorim familjar.

Sipas vendimit, sipërfaqja prej 255 m², organizimi në njësi akomoduese dhe përdorimi si strukturë turistike tregojnë se objekti është ndërtuar për qëllime fitimi.

Gjykata e Sarandës e shpalli fajtor Gazmir Mediun për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”, duke e dënuar me 3 vite burgim. Në aplikim të nenit 406 të Kodit Penal, dënimi është reduktuar me një të tretën, duke përfunduar në 2 vite heqje lirie.