AKTUALITET, 17 Shtator 2024, 09:46

Ndërtimi i godinave të reja për administratën me konkurs ndërkombëtar, Rama: Na duhet një kompleks qeveritar! Punohet në godina të trashëguara nga diktatura

Ndërtimi i godinave të reja për administratën me konkurs

Po mbahet në Tiranë konkursi ndërkombëtar, ku 10 studio prestigjioze paraqesin përpara jurisë projekt-idetë për 4 zhvillime të reja, të cilat do t’i hapin rrugë një qasje të re për krijimin e zyrave dhe shërbimeve bashkëkohore për administratën publike, ku shteti vendos në dispozicion vetëm pronat publike dhe pa asnjë shpenzim tjetër përfiton mjedise pune dinjitoze.

20 projekte të reja do t’i shtohen kolanës së arkitekturës bashkëkohore të kryeqytetit që bëhet dita-ditës edhe më shumë tërheqës për sipërmarrjet vendase e të huaja, por edhe për vizitorët e shumtë, të cilët e vizitojnë edhe si një destinacion të arkitekturës bashkëkohore.

Kryeministri Edi Rama u shpreh se lind nevoja për krijimin e një kompleksi qeveritar për akomodimin e institucioneve, të cilat momentalisht punojnë në kushte jo të mirë, në godina të trashëguara nga komunizmi, të cilat kanë edhe kosto mirëmbajtje

“Një sërë institucione që punojnë në godina që nuk kanë asnjë vlerë të asnjë lloj natyre. Madje paraqesin edhe probleme të vazhdueshme mirëmbajtje pasi janë godina të vjetra që përdoren për qëllime të reja që nuk përshtaten fare me ato mjedise.

Do të ndërtojmë një kompleks të madh qeveritar që do akomodojë një numër të konsiderueshëm institucionesh.

Moment i rëndësishëm që më në fund kemi një agjenci, Korporata Shqiptare e Investimeve (AIC) që në bashkëpunim me dy agjenci të mirënjohura në Europë, shteti nuk do të dorëzojë më prona tek privatët, por nëpërmjet (AIC)do të përfaqësojë pronën”, u shpreh ai.