TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Zgjerohen hetimet për ndërtimet pa leje në Sarandë dhe Ksamil. Prokuroria e Sarandës ka lëshuar 12 masa sigurimi ndaj efektivëve të policisë, zyrtarëve vendorë dhe biznesmenëve, të dyshuar për shpërdorim detyre, mosveprim ndaj paligjshmërisë dhe ndërtime pa leje.
Aksioni lidhet me hetimet e nisura pas ndërhyrjes së AMP-së në muajin maj, ku u arrestua edhe ish-shefi i Komisariatit të Policisë Sarandë, Gëzim Bashllari, bashkë me disa efektivë të tjerë, nën dyshimet se kishin favorizuar ose toleruar ndërtime të paligjshme në zonat bregdetare të Sarandës dhe Ksamilit. Sipas Prokurorisë, masat e reja janë dhënë në kuadër të procedimit penal nr.304 të vitit 2026 dhe përfshijnë punonjës të Komisariatit të Policisë Sarandë, zyrtarë të Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit dhe biznesmenë të ndërtimit.
Deri tani janë ekzekutuar katër masa sigurimi:
B.T., ish-shef i Seksionit të Krimeve në Volum në Komisariatin e Sarandës, është lënë në “arrest shtëpie” për shpërdorim detyre;
K.S. dhe K.SH., të dy inspektorë policie në Sarandë, janë arrestuar me burg për të njëjtën vepër penale;
A.P., pronar i Hotel Oasis, është arrestuar për ndërtim të paligjshëm.
Sipas hetimeve, efektivët dyshohet se nuk kanë marrë masa për të ndalur ndërtimet pa leje në zonat turistike të jugut.
Hetimet nisën pas evidentimit të disa ndërtimeve të paligjshme në plazhe dhe struktura turistike në Sarandë e Ksamil, mes tyre edhe rasti i një objekti të ngritur në zonën bregdetare të njohur si “Coppa Cabana”, ku u arrestuan disa punëtorë dhe u shpallën në kërkim persona të lidhur me ndërtimin.
Njoftimi:
Prokuroria Sarandë lëshon 12 masa sigurimi për punonjës të policisë, zyrtarë vendorë e biznesmenë të dyshuar për shpërdorim detyre e ndërtime të paligjshme.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, lëshoi 12 urdhra ekzekutimi për veprat penale ‘Shpërdorimi i detyrës’ dhe ‘Mosmarrja e masave për ndërprerjen e gjendjes së paligjshmërisë’, kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim dhe ‘Ndërtimi i paligjshëm’ parashikuar nga nenet 248, 251, 25 dhe 50/h si dhe 199/a/4 të Kodit Penal.
Vendimi për caktimin e masave të sigurimit u dha për zyrtarë të Inspektoriatit Vendor të Mbrojtjes së Territorit Bashkia Sarandë, punonjës të Komisariatit të Policisë Sarandë dhe biznesmenë në fushën e ndërtimit, në vijim të hetimeve mbi procedimin penal nr.304 të vitit 2026.
Aktualisht u ekzekutuan masat e sigurimit për 4 prej personave nën hetim, konkretisht:
B.T, me detyrë ish Shefi i Seksionit të Krimeve në Volum në Komisatriatin e Policisë Sarandë, ndaj të cilit është caktuar masa e sigurimit ‘arrest në shtëpi’, i dyshuar për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës kryer më shumë se një herë;
K.S, me detyrë Ndihmës specialisti i policimit në komunitet (inspektor) në Komisariatin e Policisë Sarandë, ndaj të cilit është caktuar masa e sigurimit ‘arrest në burg’, i dyshuar për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’ kryer më shumë se një herë;
K.SH, me detyrë Ndihmës specialisti i policimit në komunitet (inspektor) në Komisariatin e Policisë Sarandë, ndaj të cilit është caktuar masa e sigurimit ‘arrest në burg, i dyshuar për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’ kryer më shumë se një herë;
A.P, pronar i Hotel “Oasis” ndaj të cilit është caktuar masa e sigurimit ‘arrest në burg’, i dyshuar për veprën penale ‘Ndërtimi i paligjshëm’.
Aktualisht po punohet për ekzekutimit edhe të 8 masave të tjera të caktuara.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë vijon hetimet për identifikimin e çdo rasti, dokumentimin e plotë të faktit penal dhe individualizimin e përgjegjësisë të çdo punonjësi të Komisatriatit të Policisë Sarandë por dhe çdo institucioni tjetër përgjegjës.