TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Avokati i Popullit ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me pamjet e bëra publike gjatë ndërhyrjes së Policisë në protestën përpara Parlamentit, duke bërë me dije se ka nisur një hetim administrativ.
Sipas Avokatit, pamjet e shoqërimit të protestuesve ngrenë dyshime serioze për përdorim joproporcional të forcës dhe cenim të dinjitetit njerëzor.
“Avokati i Popullit u paraqit ditën e sotme në komisariat për të verifikuar në vend kushtet e ndalimit, trajtimin e personave të shoqëruar dhe respektimin e të drejtave të tyre procedurale. Aksesi i menjëhershëm iu lejua grupit tonë të monitorimit, por jo avokatëve të të ndaluarve. Institucioni ka nisur një hetim administrativ me iniciativë (ex-officio). Nga këqyrja paraprake e pamjeve filmike, konstatojmë pamje që tregojnë goditje fizike ndaj protestuesve gjatë shoqërimit. Këto pamje ngrenë dyshime serioze për trajtim degradues dhe përdorim joproporcional të forcës”, thuhet në deklaratën e Avokatit.
“Parimi i proporcionalitetit lejon forcën vetëm për të neutralizuar një rrezik real dhe kërkon që forca të ndërpritet në çastin që rezistenca pushon. Reagimi ndaj akteve simbolike nuk justifikon në asnjë rast dhunën fizike ndaj trupit të njeriut. Avokati i Popullit i ka kërkuar Policisë së Shtetit dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore sqarime me shkrim brenda 48 orëve, përfshirë urdhrin operacional të ndërhyrjes, regjistrimet e kamerave trupore dhe bazën ligjore të përdorimit të forcës. Në përfundim të hetimit, Avokati i Popullit do të rekomandojë masa konkrete administrative në çdo rast ku evidentohen shkelje. Do të ndjekim çdo hap të këtij procesi me vëmendje maksimale, që të garantohet e drejta për të protestuar”, vijon deklarata.