AKTUALITET, 5 Qershor 2026, 19:45

“Natyra është e jona”/ Shqiptarët protestë edhe në Berlin, thirrje kundër ndërtimit në zonat e mbrojtura (VIDEO)

“Natyra është e jona”/ Shqiptarët protestë edhe

Në mbështetje të protestave që po zhvillohen në Shqipëri, emigrantë shqiptarë në Berlin kanë zhvilluar një protestë para ambasadës shqiptare, duke kundërshtuar ndërtimet në zonat e mbrojtura, përfshirë edhe debatin për Zvërnec.

Tubimi është mbajtur në orën 18:00, ku pjesëmarrësit kanë shprehur mbështetje për protestuesit në Tiranë, Vlorë dhe në zona të tjera të vendit, duke theksuar se çështja e mbrojtjes së natyrës nuk kufizohet vetëm në një vend të caktuar.

“Natyra është e jona” ishte një nga thirrjet kryesore të protestuesve, të cilët kanë ngritur akuza ndaj qeverisë, por edhe ndaj opozitës, për mënyrën si po menaxhohen zonat e mbrojtura dhe pasuritë natyrore.

Në deklaratat e tyre, emigrantët theksuan se protesta nuk lidhet vetëm me interesin e tyre personal, por edhe me të ardhmen e prindërve dhe fëmijëve në Shqipëri, duke kërkuar të drejtën për të pasur akses të lirë në natyrë dhe hapësirat e gjelbra.

Ata u shprehën se detyra e tyre morale është të reagojnë ndaj, siç e cilësojnë, shkatërrimit të natyrës që, sipas tyre, ka vijuar prej dekadash.

Protesta në Berlin vjen si pjesë e një vale reagimesh brenda dhe jashtë vendit kundër projekteve të debatueshme në zonat bregdetare dhe të mbrojtura të Shqipërisë.