AKTUALITET, 14 Qershor 2026, 12:49

"Mungesë përgjegjësie dhe respekti", Jorida Tabaku revoltohet me veprimet e drejtuesve vendorë të PS ndaj Komisionit të Reformës Territoriale

"Mungesë përgjegjësie dhe respekti", Jorida Tabaku


Deputetja e Partisë Demokratike dhe anëtare e Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale, Jorida Tabaku, denoncoi mungesën e përfaqësueses së Bashkisë së Tiranës në dëgjesën e komisionit, duke e cilësuar atë si shenjë të qartë të papërgjegjshmërisë së qeverisë dhe pushtetit vendor ndaj llogaridhënies publike.

Gjatë mbledhjes së komisionit, Tabaku u shpreh se është e papranueshme që drejtuesja e komanduar e Bashkisë së Tiranës të refuzojë të raportojë përpara deputetëve mbi funksionimin e bashkisë që administron rreth një të tretën e popullsisë së Shqipërisë.

Sipas saj, mungesa nuk është thjesht mungesë respekti ndaj komisionit, por simptomë e një sistemi të tërë që shmang përgjegjësinë dhe llogaridhënien.

“Kur një bashki që përfaqëson një të tretën e popullsisë së vendit nuk paraqitet për të raportuar, problemi nuk është vetëm institucional. Është tregues i një sistemi që është mësuar të mos japë llogari për vendimet që merr, për mënyrën si menaxhon fondet publike dhe për mënyrën si qeveris qytetarët”, u shpreh Tabaku.

Deputetja ngriti një sërë shqetësimesh për zhvillimin e Tiranës, duke argumentuar se kryeqyteti është kthyer në një qytet të përqendruar pothuajse ekskluzivisht tek ndërtimi, ndërsa periferitë dhe ish-komunat vazhdojnë të vuajnë mungesën e investimeve dhe të shërbimeve bazë.

Ajo theksoi se reforma territoriale e vitit 2015 duhet t’i nënshtrohet një vlerësimi serioz, veçanërisht në Tiranë, ku sipas saj janë thelluar pabarazitë mes qendrës dhe periferisë, ndërsa rreth 70% e investimeve publike janë përqendruar në zonat urbane qendrore.

Tabaku kujtoi se në vitin 2015 Bashkia e Tiranës kishte rreth 5 mijë punonjës, ndërsa sot administrata ka arritur në rreth 9 mijë punonjës, pa sjellë përmirësim proporcional në cilësinë e shërbimeve për qytetarët.

Ajo kritikoi gjithashtu faktin që Bashkia e Tiranës vazhdon të drejtohet me komandim, ndërsa qyteti përballet me probleme të shumta që lidhen me planifikimin urban, shërbimet publike, administrimin financiar dhe aferën e inceneratorit.

“Nëse Partia Socialiste nuk është në gjendje të qeverisë Bashkinë e Tiranës, le t’ua lërë qytetarëve të vendosin. Nuk mund të mbahet peng qyteti më i madh i vendit nga një administrim i përkohshëm që nuk jep llogari askund”, deklaroi Tabaku.

Në përfundim, ajo kërkoi organizimin e një dëgjese të posaçme me drejtuesit e Bashkisë së Tiranës dhe me përfaqësuesit e ish-komunave, për të analizuar pasojat e reformës territoriale, gjendjen e shërbimeve publike dhe sfidat e zhvillimit të kryeqytetit.

Fjala e Tabakut

Dua të shpreh keqardhjen që dëgjesa për qarkun e Tiranës nuk po zhvillohet siç duhet. Nuk i di arsyet pse kryetari i Bashkisë Kamëz nuk është i pranishëm, pse kryetari i Bashkisë Kavajë u largua dhe, mbi të gjitha, pse drejtuesja e komanduar e Bashkisë së Tiranës nuk është sot këtu.

Për mua kjo është një mungesë përgjegjësie, por edhe një mungesë respekti ndaj këtij komisioni. Nuk është normale që personi që administron sot bashkinë më të madhe të vendit, një bashki ku jeton rreth një e treta e popullsisë së Shqipërisë, të mos vijë për të raportuar para Kuvendit.

Kisha përgatitur një sërë pyetjesh dhe shqetësimesh, jo vetëm në emrin tim, por edhe në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Kemi propozuar prej kohësh që të zhvillohen dëgjesa jo vetëm me Bashkinë e Tiranës, por edhe me ish-komunat dhe njësitë administrative që janë prekur drejtpërdrejt nga reforma territoriale.

Zona si Kashari, Petrela apo Paskuqani kanë njohur zhvillime të vrullshme urbanistike dhe kanë nevojë për një debat serioz mbi shërbimet, investimet dhe mënyrën e administrimit.

Drejtuesja e komanduar e Bashkisë së Tiranës ka marrë përsipër administrimin e qytetit dhe minimumi që duhet të bëjë është të vijë këtu e të raportojë.

Unë vetë kam qenë nënkryetare e Bashkisë së Tiranës. Në vitin 2015 Bashkia e Tiranës kishte rreth 5 mijë punonjës. Sot ka afërsisht 9 mijë. Por pyetja që shtrohet është: çfarë ka ndodhur me shërbimet? Çfarë ka ndodhur me reformën territoriale? Çfarë po ndodh me periferinë?

Tirana nuk është vetëm Sheshi Skënderbej. Tirana duhet të jetë një qytet policentrik. Duhet të zhvillohet në mënyrë të balancuar dhe jo vetëm përmes ndërtimeve në qendër.

Mungesa e përfaqësueses së Bashkisë së Tiranës është arrogancë dhe mungesë respekti ndaj këtij komisioni.

Ne kemi nevojë të kuptojmë nëse ekziston një qytet tjetër europian ku një e treta e popullsisë së vendit është përqendruar në një bashki të vetme. Kemi nevojë të dimë nëse qytetarët e Zall-Herrit, Zall-Bastarit dhe zonave të tjera marrin shërbimet që meritojnë apo jo.

Sot Tirana është bërë e vështirë për t’u menaxhuar dhe gjithnjë e më e vështirë për t’u jetuar. Ka probleme serioze me planifikimin urban, me korrupsionin, me lejet e ndërtimit dhe me çështjen e inceneratorit.

Sinqerisht ndihem e fyer që personi që drejton sot Bashkinë e Tiranës nuk gjen kohën të paraqitet përpara këtij komisioni.

Nëse Partia Socialiste nuk është në gjendje të qeverisë Bashkinë e Tiranës, atëherë duhet t’u lërë qytetarëve mundësinë të vendosin. Nuk mund të mbahet peng një e treta e popullsisë së vendit me një drejtim të komanduar dhe pa llogaridhënie.

Ne kemi përgatitur pyetje për financat e bashkisë, për shërbimet, për administrimin, për investimet, për taksat vendore dhe për ndikimin që ka pasur reforma territoriale në jetën e qytetarëve.

Prandaj kërkoj edhe një herë që Bashkia e Tiranës të paraqitet në këtë komision dhe të raportojë. Kemi nevojë për një debat serioz mbi Tiranën, mbi mënyrën si po zhvillohet, mbi shërbimet që ofron dhe mbi të ardhmen e qytetit më të madh të vendit.

Ne jemi këtu për t’u shërbyer qytetarëve dhe nuk mund të lejojmë që askush t’i shmanget llogaridhënies.