AKTUALITET, 18 Janar 2025, 22:32

Motra e Egli Progës reagon pas deklaratës së Ministrit të Brendshëm: S’mund të tallesh me vëllanë tim nën dhe

Motra e Egli Progës reagon pas deklaratës së Ministrit të

Jonida Proga, motra e Egli Progës, i cili u vra në qytetin e Pogradecit disa muaj më parë ka reaguar ndaj një deklarate të fundit të ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha, pasi ky i fundit në një postim në rrjetet sociale më herët tha se vrasja e Progës u tentua të manipulohej.

“Ti, Ervin Hoxha, që përdhos kujtimin e vëllait tim dhe ngjarjen tragjike të Pogradecit, dëgjo zërin e një motre që vajton çdo ditë për humbjen e tij dhe kërkon drejtësi”, shkroi ajo në reagimin e saj.

Ajo akuzon ministrin dhe institucionet që drejton për dështimin në kapjen e autorëve dhe përpjekjet për të fshehur të vërtetën: “Vëllai im u masakrua nga një bandë gjobëvënësish me lidhje në polici dhe drejtësi. Policia jote dështoi të kapte në flagrancë kriminelët, nuk izoloi vendin e ngjarjes dhe la autorët të zhduknin provat. Si mund të mbrosh një strukturë që lejonte krimin të ndodhte live në sytë e saj?”

Reagimi i plotë:

Dy fjalë për Ministrin e Brendshëm
Ti, Ervin Hoxha, që përdhos “ngjarjen e Pogradecit” bashkë me vëllanë tim, lexo dy fjalë nga
motra e Egli Progës, që vajton çdo ditë për të. Që kërkon drejtësi!
Ti, Ervin Hoxha, ministër me ofiqe shteti s’mund të
tallesh me vëllanë tim nën dhe, sikur ai nuk u vra nga një bandë kriminelësh, sikur Egli nuk u
masakrua nga një bandë gjobëvënësish, nga një bandë me lidhje në polici, nga disa banditë me
lidhje në drejtësi, me njerëz deri lart në qeveri.
Policia jote dhe e Rrumbullakut përdhosi kujtimin e vëllait tim në gusht, kur shtrembëroi dhe
fshehu faktet. Ti, me paturpësi të pajustifikueshme, shkruan dhe e bën përsëri sot.
Policia jote nuk i kapi kriminelët Denis Meçe, Arjan Manellari, Leonidha Guçe dhe Voltan
Shkulaku kur masakruan vëllanë tim. I la të lirë të iknin.
Policia jote nuk izoloi vendin e ngjarjes, por i la që provat të pastroheshin dhe zhdukeshin
bashkë me to edhe autorët deri pas mesnate, kur u dorëzuan vetë me negociatorë ‘nga lart’.
Policia jote nuk e gjeti maskarain Denis Meçe derisa atij i doli gjumi dhe e dorëzoi në polici daja
i tij, maskarai tjetër me lidhje politike. Valter Gora quhet, a e njeh?
Policia jote (të paktën njëri inspektor policie) e Pogradecit është e akuzuar nga prokuroria për atë
që ti e quan “dallgë e madhe dezinformimi”. Unë do akuzoj më shumë se një polic, shumë shpejt.
Policia jote dështoi në mënyrë të turpshme për kapjen në flagrancë të kriminelëve kur kjo u pa
live në TV (si iku me makinën e krimit në sy të policëve Arjan Manellari?), ndërsa ti tentove
atëherë dhe vazhdon sot të njëjtin avaz mashtrimi.
A mos po tenton të ushtrosh ndikim të paligjshëm me këtë deklaratë ndaj atyre që po bëjnë
hetimin ti, Ervin Hoxha?
Një vrasje që ndodhi në sy të Policisë që ti mbron, është një vrasje që të implikon ty nëse nuk
bën kthesë ligjore për të bashkëpunuar me prokurorinë dhe nuk bën kthesë publike për t’i
kërkuar falje të gjithëve për këtë dezinformim të poshtër. Ata ishin një bandë gjobëvënësish që
pogradecarët kanë frikë të tregojnë vetëm se ti dhe shokët e tu i mbroni me këto deklarata të
ngrohta për ata.
Ty dhe Rrumbullakut që mendon se shpëtoi nga deklarata e datës 14 gusht, duke ikur fare nga
Policia, ju siguroj se të gjithë ata që vranë vëllanë tim, katër janë në burg dhe të gjithë të tjerët që
ndihmuan në vrasjen e tij me fshehjen e provave dhe që e dhunuan kujtimin e tij pas vdekjes, nuk
do kenë paqe për sa kohë unë jam e gjallë.
Në fund, kam një pyetje për ty si njeri e jo si ministër. Nëse një njeri shumë i dashur, do të masakrohej në një lokal nga katër banditë, çfarë do bëje, nëse ata nuk do kapeshin
nga Policia, por do liheshin të iknin live nga vendi i krimit?
Nëse ti nuk vendos të përgjigjesh, do të përgjigjem unë pa vonesë ligjërisht.