AKTUALITET, 8 Tetor 2024, 21:49

Moti i keq, ministri Vengu takim online me kolegët Hoxha e Denaj! Të pranishëm kryebashkiakët Beci e Ndreu: Inspektime hidrovorëve e kanaleve!

Moti i keq, ministri Vengu takim online me kolegët Hoxha e Denaj! Të

Përkeqësimi i kushteve atmosferike i pritshëm për në vijim nga autoritetet, ka angazhuar jo vetëm strukturat e Mbrojtjes Civile dhe njësive lokale në Lezhë e Shkodër, por edhe ministrat e linjës.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, institucionit që ka në varësi edhe Emergjencat Civile, njoftoi sot se është ka bërë një takim online bashkë me kolegët, ministrin e Brendshëm Ervin Hoxha dhe të Bujqësisë, Anila Denaj.

Gjithashtu në komunikim ishin kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, prefektja Majlinda Angoni, kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu dhe prefekti Gjergj Prendi, “për t’i paraprirë situatës meteorologjike të ditës së nesërme me reshje intensive në veri-perëndim të vendit”, teksa do jenë në komunikim të vazhdueshëm.

Njoftimi i ministrit Pirro Vengu për takimin:

“Dakordësuam masat parandaluese që duhet të ndërmarrim bashkërisht në orët në vijim:

- Inspektime mirëmbajtëse në infrastrukturën kulluese, kolektorët në zonat urbane dhe hidrovorët;

- Gatishmëri teknike e Brigadës së Emergjencave Civile dhe Forcave të Armatosura të Vaut të Dejës në mbështetje të ekipeve vendore;

- Sensibilizim i qytetarëve të zonave me risk për masat individuale mbrojtëse.

Monitorimi i vazhdueshëm i situatës dhe gatishmëria e Emergjencave Civile janë një parakusht për të minimizuar pasojat e këtij fronti reshjesh për Lezhën dhe Shkodrën, ku puna për të mbajtur të hapura akset rrugore kombëtare dhe rurale, dhe për të mirëmbajtur kolektorët dhe kanalet kulluese, do të vazhdojë”.