AKTUALITET, 23 Prill 2024, 19:33

Moti i keq i prishi festën e titullit, Seria A ndryshon datën e ndeshjes së Interit për shkak të xhiros me autobus

Moti i keq i prishi festën e titullit, Seria A ndryshon datën e

Interi fitoi titullin kampion duke mundur Milanin në derbin e të hënës në darkë. Por zikaltrit nuk e festuan siç deshën këtë arritje me tifozët e tyre, për shkak të kushteve të këqija atmosferike në Milano ku kishte shumë reshje shiu gjatë gjithë natës.

Kësisoj, skuadra nuk ia doli që të bënte ritin e zakonshëm të xhiros me autobus mes tifozëve për të shkuar deri në sheshin “Duomo” ku zakonisht bëhet festa. Situata nuk ka ndryshuar as gjatë ditës së sotme, ndaj Interi i ka bërë kërkesë Ligës italiane për të ndryshuar datën e ndeshjes së fundjavës ndaj Torinos,

Si rrjedhojë, sfida e paracaktuar të luhej të shtunën në orën 15:00, është zhvendosur për të dielën në orën 12:30. Në këtë mënyrë, Interi do të mbarojë ndeshjen që luan si pritës në “San Siro” dhe më pas, me autobus të hapur (nëse lejojnë kushtet atmosferike) do të bëjë xhiron e Milanos mes tifozëve për të shkuar në sheshin ku do të organizohet ceremonia festive me mbështetësit zikaltër.