AKTUALITET, 25 Qershor 2026, 09:31

“Mos e çoni ndërmend dorëheqjen”/ Rama thotë se i ka shkruar një emigrant që të mos lërë detyrën nga protestat

“Mos e çoni ndërmend dorëheqjen”/ Rama thotë

Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot, 25 qershor, një mesazh të gjatë të një emigranti shqiptar që jeton dhe punon në Itali, i cili e ka falënderuar për punën e bërë ndër vite dhe i ka kërkuar të mos mendojë dorëheqjen.

“Mos e çoni as ndërmend (në Itali themi “Nemmeno Per Scherzo”) të jepni dorëheqjen! Ju dhe Partia Socialiste keni qenë ata që në vitet e fundit keni punuar për një vizion që ne të rinjve të lindur dhe/ose të rritur jashtë shtetit po na bën të ëndërrojmë. Po, po na bëni të ëndërrojmë të shpërngulemi në vendin tonë të origjinës për të ardhur të jetojmë dhe të punojmë, dhe nuk dua që kjo ëndërr të fiket pikërisht tani kur duket se është shumë afër realizimit”, i shkruan ai kreut të qeverisë.

Më tej, vlerëson investimet në turizëm dhe infrastrukturë, duke theksuar se Shqipëria ka nevojë për projekte që tërheqin turistë me fuqi më të madhe shpenzuese dhe jo vetëm turizëm masiv. Megjithatë, qytetari rendit edhe problemet që sipas tij vazhdojnë të pengojnë kthimin e emigrantëve, si korrupsioni, ndotja, mungesa e zbatimit të rregullave të qarkullimit rrugor dhe menaxhimi i mbetjeve.
“Do të gënjeja po të thosha se jam dakord me gjithçka që keni bërë, por sigurisht është e pamohueshme që ju i keni dhënë një kthesë dhe një zgjim vendit tonë, prandaj ju lutem vazhdoni ta bëni Shqipërinë të madhe dhe të na bëni të ëndërrojmë“, thuhet në mbyllje të mesazhit.