AKTUALITET, 30 Qershor 2026, 10:13

Mori nga posta pakon me karamele me kanabis e ardhur nga SHBA, në pranga amerikania në Tiranë! Mohon në polici ta ketë porositur

Mori nga posta pakon me karamele me kanabis e ardhur nga SHBA, në pranga

Një amerikane është arrestuar në Tiranë, pasi mori në dorëzim një pako postare brenda së cilës ndodheshin karamele xhelatinoze me lëndë të dyshuar narkotike kanabis sativa. Burime bëjnë me dije se në pranga ka rënë 48-vjeçarja me iniciale Sh.I., banuese në Shqipëri.

Arrestimi i saj u krye menjëherë pasi mori dërgesën, në kuadër të një operacioni të organizuar nga Antidroga e Tiranës. Hetimi nisi pasi pakoja, e ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u kontrollua në doganë, ku u konstatuan karamele me lëndë të dyshuar narkotike kanabis në formë xhelatine, me një peshë totale prej rreth 572 gramësh.

Për të identifikuar marrësin e saj, policia organizoi një dorëzim të kontrolluar. Një agjent i Antidrogës, i infiltruar si postier, ia dorëzoi pakon 48-vjeçares, e cila u vu në pranga sapo e mori në dorëzim. Gjatë marrjes në pyetje, amerikanja ka deklaruar se nuk kishte porositur asnjë lëndë të jashtëligjshme dhe se pakoja e sekuestruar nuk ishte porositur prej saj.

Ndërkohë, Antidroga e Tiranës po vijon hetimet për të zbardhur të gjithë skemën e trafikimit, si dhe për të verifikuar nëse 48-vjeçarja ka lidhje me persona apo grupe kriminale të përfshira në këtë aktivitet.