AKTUALITET, 22 Shtator 2023, 12:28

"Mori djalin e vogël në OKB, siç bënte Lukashenko"/ Berisha flet për drejtimin e KS nga Rama

"Mori djalin e vogël në OKB, siç bënte

Ish kryeministri Sali Berisha, ka dalë në konferencën e përjavshme për mediat, ku komentoi edhe kryesimin e Këshillit të Sigurimit të OKB nga Edi Rama. 

Berisha tha se aplikimi për të drejtuar përkohësisht KS nga Shqipëria është bërë në vitin 2007, kur në qeveri ishte ai. Ndërkohë e quajti skandal faktin që Rama mori me vete në OKB djalin e tij të vogël. Sipas tij kjo ka ndodhur më parë vetëm me Lukashenkon. 

Berisha gjithashtu deklaroi se McGonigal do të pranojë fajësinë ditën e sotme për akuzat që lidhen me udhëtimet e tij në Shqipëri. 

"Në vitin 2007 Shqipëria aplikoi për të zënë vendin si anëtar i përkohshëm i KS dhe kjo u miratua pa kontestim. Ne u bëmë vendi i parë në historinë e atij institucioni, që të kryesohet ajo mbledhje nga një person delinkuent në hetim ndërkombëtar.

Kam qenë njëherë në OKB, si spektator, ç’të shoh unë, seancën e kryesonte Gadafi. Fliste si i çmendur, 2-3 orë dhe nuk lëshonte platformën. Edi Rama, fatmirësisht kësaj here nuk foli, sepse kishte rekordet e Lukashenkos, që edhe ai fillonte dhe nuk dinte ku ndalonte.

Por, i vetmi përfaqësues në planet, që kisha parë të merrte djalin e tij të vogël me vete ishte Lukashenko, a thua se të tjerët nuk kishin fëmijë. Por, ajo nuk është punë për fëmijë apo për t’ju bërë qejfin fëmijëve. Rama, i dyti pas Lukashenkos që shkon në Asamble bashke me djalin në shkollë fillore. I ngjasin diktatorët njëri tjetrit.

Lukashenko nuk ishte nën hetim në atë kohë, por Edi Rama është nën hetim të fortë. Lajm është sot, McGonigal ka pranuar fajësinë për dosjen shqiptare. Çfarë do të thotë? Edi Rama është fajtor.

Sot në orën 20:00 me orën tonë dhe 14:00 me orën e Washington DC, McGonigal dorëzohet dhe sëbashku me të edhe Edi Rama. Ky është zhvillimi dhe një histori e cila ka një aspekt tmerrësisht poshtërues për Shqipërinë", tha Berisha.