AKTUALITET, 23 Janar 2023, 22:45

Monika Kryemadhi: Janë paguar 54 milionë euro për inceneratorin e Tiranës, intimidimi dhe presioni nga qeveria është shumë i madh

Monika Kryemadhi: Janë paguar 54 milionë euro për inceneratorin e
Fotomontazh: Kryemadhi dhe Veliaj

Në fundvitin e shkuar, deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, hodhi një qese fosforeshente me mbetje urbane në njërin prej kazanëve në Unazën e Re dhe më pas, rrugëtimi i saj u ndoq përmes një droni. Makina e pastrimit e pajtuar nga bashkia e Tiranës e çoi në një venddepozitim në Sharrë, ku vetëm hidhej, pa u përpunuar.

Duke folur në studion e emisionit “Të Paekspozuarit”, zonja Kryemadhi tha se sot banorët e Tiranës paguajnë 29 euro për një ton plehra, edhe pse ato nuk diferencohen, riciklohen, apo përpunohen. Ajo tha se qeveria të paktën duhet të ndalonte pagesat pë koncesionin që deri më sot ka marrë 54 milionë euro, ndërsa u shpreh skeptike për hetimet nga SPAK-u.

“Ajo gropa e famshme që është një vaskë jeshile, landfilli, ka qenë ndërtuar, që duhej mbushur për 30 vjet dhe është mbushur për 9 muaj, duke rikthyer rihapjen e venddepozitimit të vjetër. Kjo prek jo vetëm kontratën, por edhe standardet, sa i përket ligjit të menaxhimit të mbetjeve. Ky është një fakt flagrant edhe për prokurorinë.

Gjëja më minimale që mund të bënte qeveria shqiptare ishte ndalesa e pagesave. Ne sot paguajmë 29 mijë euro për 1 mijë tonë mbetje, pra 29 euro toni, vetëm për depozitimin, por ne ato para i paguajmë që të diferencohen, riciklohen, të përpunohen, të digjen. Asnjëra nga këto faza nuk bëhet, jo më djegia. Për këtë paguhet 29 euro, ndërkohë që më para paguhej 12 euro toni. Landfilli i Bushatit është me 1600 lekë toni, sipas kontratës së nënshkruar nga ish-kryetarja e bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi në shkurt 2022, që u bë për shkak të rritjes së çmimit të naftës, sepse ka qenë me 1000 lekë. Ky është një argumentim shumë i qartë për prokurorinë, që është shumë vonë në gjithë këtë proces, sepse vazhdojnë të paguajnë paratë dhe nuk mund ta zvarrisin më, sepse inceneratorit të Tiranës i mbaron kontrata në vitin 2047. Deri tani ne kemi paguar 54 milionë euro”-tha zonja Kryemadhi.

E pyetur nga z.Rakipi se si po shkojnë hetimet ndaj kësaj çështjeje, zonja Kryemadhi u shpreh:

“Unë i kam dy herë letër SPAK-ut për të më informuar. Besoj se presioni dhe intimidimi është shumë i madh nga qeveria. Mos harroni që vetëm bashkia Tiranë paguan 12 milionë euro në vit, pa llogaritur bashkitë e Durrësit, Kavajës, Rrogozhinës, Vorën dhe Kamzën”.