TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

“Pensionet do të indeksohen me 2,7 për qind nga data 1 korrik”. Kështu tha ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë të premten.
“Miratuam indeksimin e pensioneve për vitin 2026. Një vendim i cili po rikthehet në shtratin që ka pasur”, tha ajo. “Gjatë vitit 2022, duke qenë se indeksuam dy herë pensionet, në prill dhe tetor, kishte mbetur gjithmonë në atë muaj. Që prej këtij viti, do t’i indeksojmë pensionet me 2,7%. Të gjitha pensionet e pleqërisë, por edhe pensionet e veçanta, apo edhe përfitimet e barrëlindjeve. Janë rreth 900 mijë përfitues”.
Indeksimi konsiderohet kompensim për çmimet e rritura, sidomos gjatë këtij viti ku inflacioni ka kapërcyer 3% për shkak të luftës në Lindjen e Mesme, që solli menjëherë shtrenjtim të karburantit dhe të produkteve të tjera edhe në Shqipëri. Kjo ishte edhe arsye e indeksimit të pensioneve në korrik dhe jo në muaj tetor, siç ishte bërë traditë prej disa vitesh.
Me këtë indeksim prej 2.7% që është 0.2% më i lartë se ai i tetorit të vitit të kaluar (2.5%), pensionet urbane të pleqërisë shtohen mesatarisht me rreth 543 lekë në muaj, nëse marrim si referencë vlerën mesatare të kësaj kategorie që në fund të 2025-ës ishte 20,123 lekë.
Ndërsa për pensionet rurale, shtesa është 320 lekë, pasi pensioni mesatar rural në fund të vitit të kaluar ishte 11,878 lekë. Praktikisht me këtë indeksim pensioni urban shkon në 20,666 lekë, dhe ai rural në 12,107 lekë.