AKTUALITET, 23 Maj 2024, 10:38

Ministri i Infrastrukturës: Ka nisur të jetësohet hekurudha Durrës-Prishtinë

Ministri i Infrastrukturës: Ka nisur të jetësohet hekurudha

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka dhënë një lajm “të jashtëzakonshëm” në lidhje me hekurudhën Durrës-Prishtinë.

Ndonëse nuk ka dhënë detaje, ai ka thënë se ky projekt dalëngadalë po jetësohet.

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, e ka cilësuar të jashtëzakonshëm lajmin në lidhje me hekurudhën Durrës-Prishtinë.

Ndonëse nuk ka dhënë detaje, ai ka thënë se ky projekt dalëngadalë po jetësohet.

“Lajm i jashtëzakonshëm që pas një sërë takimeve të njëpasnjëshme, si ai me z. Martin Vickers, deputetin dhe të dërguarin e posaçëm të Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, e më pastaj edhe me përfaqësuesit e Export Finance (UKEF), projekti i linjës hekurudhore Durrës-Prishtinë, dalëngadalë po jetësohet për të bashkuar ekonomikisht të dy vendet tona”, ka shkruar Aliu në Facebook.

Ai shtoi se sot ka qëndruar në Tiranë, bashkë me kolegë e bashkëpunëtorë, ku kanë zhvilluar një takim pune për të diskutuar vijimësinë e ndërtimit të hekurudhës “më të rëndësishme kombëtare, Durrës-Prishtinë”.

Ministri tha se kjo hekurudhë do të kontribuojë në një lidhje të shpejtë të pasagjerëve dhe mallrave.

“Në takim ritheksova se krijimi i linjës hekurudhore është zgjidhja më ekologjike e ndërlidhjes tonë me Shqipërinë. Bashkërisht shprehëm mirënjohjen e pamasë për përkrahjen e Britanisë dhe për mundësinë që kemi para nesh për thellimin e këtij bashkëpunimi”, deklaroi ministri Liburn Aliu.

Çështja e linjës hekurudhore u përmend sot edhe nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë takimit me ministrin e Jashtëm britanik në Tiranë, David Cameron.

Rama deklaroi sot se gjatë takimit me Sekretarin e Shtetit për Çështjet e Jashtme, Commonëealth-in dhe Zhvillimin e Mbretërisë së Bashkuar, Lord David Cameron kanë folur për përfshirjen e Mbretërisë së Bashkuar në një projekt strategjik për Shqipërinë, Kosovën, por edhe rajonin që është hekurudha Durrës-Prishtinë.

Në deklaratën e përbashkët për shtyp me Lord David Cameron, kryeministri Rama tha se “kjo hekurudhë është një element kyç i projektit të rritje së kapaciteteve të lëvizjes jo vetëm mes dy vendeve tona, por në rajone e më gjerë duke pasur parasysh që së shpejti hapim garën ndërkombëtare për portin e ri tregtar të Durrësit”.

Kryeministri Rama u shpreh se “jemi në pritje të përgjigjes përfundimtare të NATO-s për krahun ushtarak të portit të Durresit. Edhe Kosova do të ndërtojë një port të thatë në Prishtinë”./Monitor