AKTUALITET, 11 Korrik 2026, 18:08

Ministri Hoxha me të rinjtë në Jalë: Anëtarësimi në BE kërkon përfshirjen tuaj, Europa fillon në shtëpi

Ministri Hoxha me të rinjtë në Jalë: Anëtarësimi

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, së bashku me Kryeministrin Edi Rama morën pjesë në një dialog të hapur me 150 aktivistë të rinj nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi në #RinCamp2026.

Anëtarësimi në BE dhe progresi i Shqipërisë ishte thelbi i diskutimeve me të rinjtë në panelin e organizuar nga Agjencia Kombëtare e Rinisë.

Gjatë fjalës së tij, Ministri Hoxha theksoi se ky proces kërkon përfshirjen aktive të të gjithëve, veçanërisht të të rinjve, të cilët ‘do të jenë nesër përfituesit e drejtpërdrejtë të çdo investimi që bëjmë sot.’

"Ky është qëllimi ynë kombëtar, misioni ynë i përbashkët dhe mundësia më e mirë e të rinjve. Askush nuk përjashtohet; të gjithë kanë një rol për të luajtur. Ky brez do të jetë i pari që do ta përjetojë Shqipërinë si Shtet Anëtar i Bashkimit Evropian. Unë e kam theksuar edhe në turin e takimeve që kam zhvilluar me të rinjtë se Evropa fillon këtu. Në Bruksel merren vendimet, por reformat bëhen këtu. Impakti i gjithçkaje që vendoset në Bruksel, është në Shqipëri", tha ministri Hoxha.
Sipas Hoxhës, duke kuptuar se anëtarësimi në BE fillon këtu në shtëpi, secili prej nesh, individualisht dhe kolektivisht, mund të ndihmojë në afrimin e kësaj të ardhmeje.

"Ndërsa përgjegjësia jonë është ta udhëheqim Shqipërinë drejt anëtarësimit në BE, përgjegjësia e të rinjve do të jetë të përfaqësojnë dhe mbrojnë si interesat e Shqipërisë brenda familjes evropiane, ashtu edhe interesat tona të përbashkëta evropiane në skenën globale", theksoi ministri i Jashtëm.