TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ministri i drejtësisë, Toni Gogu, tha sot gjatë fjalës së tij të përurimit të ambienteve të reja të Gjykatës së Posaçme (11 maj), se sallat e gjyqit janë vendet jo vetëm ku lexohet vendimi, por ku garantohet paanësia, integriteti, siguria dhe serioziteti i procesit.
Ai vlerësoi arritjet e drejtësisë së re deri tani dhe tha se 4 sallat e reja, hollet, zyrat e gjyqtarëve dhe ambientet e tjera që janë investuar, do i shërbejnë më tej cilësisë së drejtësisë dhe ishin një hap drejt standardeve dhe integrimit evropian.
Ministri preku në fjalën e tij edhe çështjen e debatit të hapur për kafazët në sallat e gjyqit, duke theksuar se kryetari Erjon Bani e preku me të drejtë dhe e trajtoi siç duhej, pasi ajo kërkonte maturi dhe seriozitet.
“Ju në fjalën tuaj kryetar, shumë mirë e prekët për atë që kemi një debat publik përsa i përket këtij standardi që ka marrë vëmendje, mënyra e sigurisë në sallat, e gjykimit, duke përfshirë edhe të ashtuquajturin kafaz. Më vjen mirë, më vjen shumë mirë të konstatoj se në fjalën tuaj ju prekët atë drejtpeshim që duhet të ketë kjo çështje, sepse duhet ta trajtojmë me maturi dhe seriozitet. Standardi evropian kërkon atë ekuilibër zoti kryetar dhe të nderuar gjyqtar, siguri të procesit dhe dinjitetin njerëzor, prezumim të pafajësisë dhe mbrojtje në sallën e gjyqit dhe mbrojtjen në rendin gjyqësor e vendosni ju zotërinj gjyqtarë”, u shpreh ai mes të tjerash.
Ministri foli edhe për të shkuarën, kur dy dekada më parë zyrat e gjykatave kishin një tjetër pamje dhe nisën të bëheshin investimet e para, duke i transformuar.
“Më kujtohen në vitin 2003, kur shkuam në Gjykatën e Tiranës në sallat e gjyqit, sesi për atë kohë ishte ndryshim i madh kulturor institucional. Disa e shihnin sikur po vendoseshin tavolina e kompjutera, po bëheshin ca mure, por për ne ishte e rëndësishme se po ndryshoheshin disa zakone, se si po rritej përshpejtimi i proceseve po rritej transparenca, si menaxhohej shorti dhe shpërndahej ngarkesa siç duhej, si rritej serioziteti procedurial dhe rritej besueshmëria e qytetarëve”, tha ai.
Sipas Gogut, gjykatat nuk janë vend ku vetëm lexohet vendimi, por edhe sigurohet paanësia dhe integriteti.
“Salla e gjykatës nuk është vetëm vendi ku lexohet vendimi, po edhe vendi ku shteti garanton paanësinë dhe sigurinë e procesit. Vendi ku duhet të sigurohet dinjiteti dhe siguria. Ndaj edhe investimi që përurojmë sot dhe jam i nderuar që ndodhem këtu, ka rëndësi për cilësinë e drejtësisë. Gjykata nuk merret vetëm me procesin, por edhe me ecurinë dhe kërkon standarte të larta sigurie, funksionalitet dhe integritet. Ndaj rekomandimet e partnerëve tanë evropianë shkojnë në këtë drejtim, më shumë efikasitet, siguri për gjyqtarët, menaxhim të çështjes dhe seriozitet. Ndaj këto nuk janë thjesht proces përurimi por edhe standardi evropian të drejtësisë”, tha ai.
Më tej ministri preku edhe çështjen e integrimit dhe rolin që ka drejtësia e re në afrimin e Shqipërisë pranë BE-së.
“Evropa nuk na kërkon dobësimin e sigurisë, por profesionalizmin në administrimin e saj dhe ky është drejtimi në të cilin duhet të ecim, drejt një drejtësie modern, serioze dhe evropiane. Sot reforma në drejtësi ndodhet në fazë tjetër, kemi arritur në pikën ku shohim më shumë konsolidim, kapacitet, cilësi, standart profesional dhe besueshmëri. Kjo lidhet me atë fazë ku Shqipëria ndodhet në procesin e integrimit evropian, teksa hyjmë në atë fazë të mbylljes së kapitujve dhe barra e sistemit të drejtësisë bëhet më e madhe. BE mat funksionimin e përditshëm, efikasitetin e proceseve, mbrojtjen e të drejtave, sigurinë, besimin e qytetarëve te drejtësia, teknologjinë dhe një kompleks kriteresh të tjera. Të gjitha këto janë pjesë e standardit evropian dhe të sundimit të ligjit, janë pjesë e kapacitetit të shtetit shqiptar për të siguruar standardet. Qytetari nuk e mat gjykatën nga vendimi, por edhe nga serioziteti i sallës, organizimi dhe nga mënyra se si është organizuar shteti. Institucionet nuk imponojnë vetëm autoritet, por imponojnë edhe besim”, u shpreh Gogu.
Ai foli edhe për dosjet e rëndësishme të krimit të organizuar, për të cilat theksoi se Gjykatat kërkonin më shumë siguri dhe kjo i jepet nëpërmjet investimeve. Duke uruar gjyqtarët për zyrat e reja, ai u shpreh se:
“Ta gëzoni zoti kryetar këtë standard të ri evropian, infrastrukturën modern gjyqësore. Çështjet e krimit të organizuar dhe të profilit të lartë kërkojnë dhe duhet të kenë nivel të lartë sigurie. Por edhe standarde evropiane, si֛ e prekët edhe ju zoti kryetar”.