AKTUALITET, 29 Qershor 2026, 10:54

Drejtori i shkollës së Magjistraturës: Media të vetëpërmbahet në publikime, perceptimi shpesh zë vendin e provës! Të mos heshtë për çështjet me interes publik

Drejtori i shkollës së Magjistraturës: Media të

Drejtori i shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi në fjalën hapëse të mbajtur në konferencë, foli për marrëdhënien e institucioneve të drejtësisë me mediat.

Rakipi shprehu nevojën për disa kufij në raportimin e ngjarjeve, konkludimet apo publikimin e pamjeve e dokumenteve në media. Ai shtoi se informimi mbetet një nevojë e domosdoshme që i shërben transparencës dhe besimit publik.

“Ne, sistemi i drejtësisë, duhet të kuptojmë nevojën legjitime të publikut për informacion, thjesht për faktin se nuk mund të jemi të izoluar nga qytetarët, sepse paguhemi nga publiku taksapagues për t’i shërbyer pikërisht atij. Përbëjmë shërbimin publik gjyqësor dhe duhet, të paktën, të jemi të përgjegjshëm përkundrejt tij.

Një sistem drejtësie që komunikon pak, që shpjegon pak dhe që mbetet i mbyllur për publikun, krijon hapësirë për spekulime, thashetheme, interpretime dashakeqëse, dezinformim dhe/ose mosbesim. Besimi ndërtohet edhe përmes transparencës, komunikimit institucional dhe aftësisë për të shpjeguar proceset.

Megjithatë, në praktikë, shpesh përballemi me atë që ka filluar të quhet “gjykim paralel” ose “gjykatë publike”. Në momentin kur publikohet emri i një personi të dyshuar, kur transmetohen pamje nga arrestimi, kur komentues, analistë apo përdorues të rrjeteve sociale nxitojnë të japin verdikte, krijohet një realitet paralel me procesin gjyqësor. Dhe, në këtë realitet, perceptimi shpesh zë vendin e provës.

Marrëdhënia mes medias dhe drejtësisë është bërë edhe më komplekse për shkak të revolucionit teknologjik. Shumë më i thjeshtë është bërë përhapja e lajmit apo komenteve nëpërmjet teknologjisë së sotme, e cila përfshin miliona njerëz në fare pak sekonda, që ushqehen dhe, jo pak herë, i besojnë lajmit të parë të dhënë, edhe kur ai është pa cilësi apo në kufijtë e lajmit të rremë. Jo rrallë publikohen pamjet nga vendi i ngjarjes përpara se të arrijë policia atje, shpërndahen akte gjyqësore apo hetimore përpara se të paraqiten në sallën e gjyqit. Ndaj, nevoja për vetëpërmbajtje, për respektimin e standardeve etike dhe të kulturës apo përgjegjësisë profesionale, është e lartë, në proporcion të drejtë me mundësinë e ndikimit të lajmit te publiku.

Media inkurajohet të mos heshtë për çështjet, veçanërisht ato penale me interes publik. Është e shëndetshme për të gjithë që ajo të raportojë, sepse i shërben transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve të drejtësisë. Por raportimi duhet të jetë i kujdesshëm, i balancuar dhe i mbështetur në fakte të verifikuara, me qëllim që informimi publik të mos rrezikojë dënimin publik”, tha Arben Rakipi.