AKTUALITET, 28 Prill 2022, 21:23

Mërtiri: Berisha e ka me ngut të marrë partinë, sepse është në luftë me SHBA-të! Kuvendi, thjesht teknikalitet

Mërtiri: Berisha e ka me ngut të marrë partinë, sepse
Ergys Mërtiri dhe Sali Berisha

Ergys Mërtiri thotë se Berisha po nxiton të marrë Partinë Demokratike, për shkak të luftës me amerikanët dhe se Kuvendi që do të zhvillojë PD, nuk bëhet për të bashkuar partinë, por thjesht është një mjet që Berisha të marrë partinë. 

I ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, Mërtiri u shpreh se çdo personazh që shfaqet përballë Berishës, si Alibeaj, nuk është në fakt kundërshtari i tij real,  por problemi i vërtet janë SHBA-të që nuk e pranojnë si partner. 

"Për mua kjo është thjesht një luftë e një personi për të marrë partinë. Kuvendet dhe këto janë thjesht mjetet teknike.  Gjithçka bëhet që Sali Berisha të marrë partinë. Kjo nuk bëhet për të demokratizuar partinë. Nëse ka një konflikt, nuk bëhen zgjedhje, por ulen palët, përcaktojnë kohë më të qetë, zbuten tonet, i lihet kohë  partisë të reflektojë. Duket që Berisha e ka me ngut, nuk ka kohë të presë dhe të bashkojë partinë.

Pastaj gjtihcka tjetër është strategjia si do të merret. Këtu kemi dy palë, që pretojnë se kanë legjitimitetin. Të bësh zgjedhje pa pritur vendimin e gjykatës, bëhet për ti paraprirë vendimit.  Nuk është luftë e Berishës me ndonjë palë brenda PD. Kjo është një luftë e Berishës me SHBA-të dhe prandaj nxiton.

Deri tani konflikti ishte Basha-Berisha. Basha iku. Konflikti përse nuk u shua? Sepse konflikti është mes Berishës dhe SHBA-ve.

Tani Berisha ka gjetur Alibeajn si pengesë. Edhe po të ikë Alibeaj konflikti është aty, sepse SHBA-të nuk e pranojnë Berishën si partner të tyre. Një PD me Berishën, është PD në izolim nga partnerët tanë ndërkombëtarë, SHBA dhe BE", tha Mërtiri.