TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryetari i grupit të Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha sot nga foltorja e Kuvendit se mazhoranca është e gatshme të ulet me opozitën për të gjitha rekomandimet si nga Gjykata Kushtetuese për Rregulloren e Parlamentit, ashtu edhe për Reformën Zgjedhore, Territoriale dhe rekomandimet nga ndërkombëtarët.
Madje ai bëri ironi edhe për çështjet ligjore të barazisë gjinore, duke sulmuar PD-në për garën zgjedhore në parti, teksa mori si referencë përjashtimin e kandidates Mereme Sela nga gara për kryetar më 23 maj.
“Ftesa për ndryshimet në rregullore është e hapur. Të mblidhemi të hënën për të diskutuar dhe parë se si mund t’i bëjmë ato ndryshime, bazuar te rekomandimet. Kuadri zgjedhor i Shqipërisë është i përshtatshëm dhe konkurrues, por edhe këtu ftesa është e hapur, Komisioni i Reformës Territoriale dhe Zgjedhore është aty”, tha deputeti socialist.
Madje ai u shpreh dakord që edhe për procesin e numërimit të votave të depolitizohej dhe të bëhej elektronik, që rezultati të dilte sa më shpejt. Balla u shpreh se PS është dakord që komisionerët të mos ishin partiakë, duke shtuar se besonte që edhe PD ishte e pakënaqur nga komisionerët gjatë zgjedhjeve të 11 majit 2025.
“Pjesa tjetër është ajo e depolitizimit të komisioneve, jemi dakord edhe partia juaj së fundmi ishte e pakënaqur nga numërimet në zgjedhjet e kaluara dhe po të doni të kthehemi tek numërimi elektronik që rezultati të dalë sa më shpejt”, vijoi ai.
Dhe teksa ironizoi zgjedhjet në PD, duke marrë për shembull ligjin e barazisë gjinmore, theksoi se:
“Një grua si Meremja e shkretë kërkoi të konkurronte dhe e përjashtuar. Ne jemi për barazinë gjinore, hajt të diskutojmë edhe për të. Por do ishte mirë të kishte një kandidat nga gjinia femërore dhe një kandidat nga ajo burrërore”.
Balla përshëndeti edhe një analizë të ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, që parashtronte një plan gjashtë pikësh si udhërrëfim edhe për Shqipërinë. Kurse për raportin e Parlamentit Evropian, Balla tha se duhej pritur votimi në BE dhe paraqitja nga reporterët më 16-17 qershor në Bruksel.
“E përshëndes planin 6 pikësh të ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Johan Vadephul, i bërë në gazetën “Frankfurter Zeitung”. Të gjashtë pikat e ministrit të Jashtëm të Gjermanisë janë të mira, janë po ato që ka mbështetur edhe kryeministri Edi Rama. Flitet për projektin e zgjerimit të BE-së, funksionimin e BE, mënyrën e votimit, fiks si propozimet e kryeministrit Rama në “Frankfurter”. Të gjashta pikat mendoj se qëndrojnë, një dokument udhërrëfyes shumë i mirë. Përsa i përket raportit të PE-së të presim miratimin në qershor, në jemi të gatshëm të flasim, por do duhet të presim deri në 16-17 qershor kur dy raporterët ta paraqesin”, tha Balla.