AKTUALITET, 18 Maj 2024, 21:46

Megaoperacioni i SPAK, Dervishi: U godit selia kryesore e krimit, ndodhej në Shijak

Megaoperacioni i SPAK, Dervishi: U godit selia kryesore e krimit, ndodhej

Temë e emisionit Review në Euronews Albania këtë të shtunë, ishte operacioni i ndërmarrë nga SPAK, ku u goditën 7 nga grupe më të fuqishme kriminale në Shqipëri dhe ku u sekuestruan disa milionë euro para të thata, por dhe pasuri të tjera.

Gazetari i kronikës Ferdinand Dervishi, e cilësoi operacionin e SPAK si një goditje ndaj “kryeministrisë së krimit” në Shqipëri.

Dervishi tha se operacioni ishte shumë i mirë për sa i përket stekës së ngritur.

Ai nënvizoi se SPAK-u ka shkuar në majë të Piramidës, pasi u godit selia kryesore e krimit në Shqipëri, e cila ishte e vendosur në Shijak dhe ku u sekuestruan milionat e eurove.

“Është operacioni më i mirë, jo sa i përket rezultatit, por stekës së ngritur, Në Shqipëri unë si gazetar e kam ndarë pushtetin në dy, kemi kryeministra politik dhe kryeministra krimi. Pra kohë pas kohe në Shqipëri janë shfaqur dhe kryeministrat e krimit, të fortët e krimit. Dikur prej tyre e ka pasur kryeministrinë te Liqeni Artificial, tek pylli, dikush e ka patur në burg selinë dhe dikush te ETC-ja, sipas fuqizimit dhe rënies të njërit apo tjetrit, përfundimit të një epoke.

Aktualisht selia e krimit ishte ajo godina në Shijak që gjeti policia 5 milionë euro. Pra që vajti SPAK-u. Është goditur kryeministria e krimit, SPAK-u ka shkuar në majë të piramidës. Kur askush nuk e priste, kur dëgjonim llafe që ata marrin njerëz nga rruga dhe i emërojnë në krye të komisariateve, nga ajo kryeministri vinin. U godit kryeministria e krimit, këtë faktori politik nuk do ta pranojë pasi nuk është me SPAK-un është kundër SPAK-ut”, tha Dervishi.