AKTUALITET, 4 Qershor 2026, 15:05

Më të rrezikuarit, beqarët! Më shumë se gjysma familjeve nuk përballojnë dot një shpenzim të papritur

Më të rrezikuarit, beqarët! Më shumë se gjysma

Mjafton një e papritur e pakëndshme dhe më shumë se gjysma e familjeve shqiptare gjunjëzohen financiarisht. “Një faturë e papritur, humbja e vendit të punës apo një emergjencë shëndetësore mund të mjaftojë për të tronditur financat e 59 për qind të familjeve në vend”, tregon një studim i kryer nga Departamenti i Kërkimeve në Bankën e Shqipërisë.

“Gjetjet tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e individëve, ndonëse mund të mbulojnë shpenzimet e përditshme, nuk zotërojnë rezerva likuide të mjaftueshme për të administruar luhatjet e papritura negative”, thotë Banka e Shqipërisë.

Më tej, theksohet se “brishtësia financiare” nuk lidhet vetëm me nivelin e të ardhurave, por arsimi është një faktor kryesor me ndikim, pasi niveli i ulët arsimor shton rrezikun për mos-përballimin e goditjeve të papritura: “Këto rezultate sugjerojnë se politikat duhet të fokusohen në forcimin e edukimit financiar, zgjerimin e përfshirjes financiare dhe orientimin e remitancave drejt kanaleve formale, me qëllim rritjen e qëndrueshmërisë ekonomike të familjeve”.

Ndihmë për familjet shqiptare evidentohen remitancat, pasi në studim është dalë në konkluzionin se familjet që përfitojnë dërgesa nga emigrantët shfaqin një probabilitet më të ulët brishtësie, duke konfirmuar funksionin e tyre si një mekanizëm mbrojtës ndaj goditjeve ekonomike. E kundërta ndodh me beqarët: “Sa i përket statusit martesor, rezultatet tregojnë se të qenit i martuar redukton statistikisht probabilitetin për të qenë financiarisht i brishtë, krahasuar me kategoritë e tjera martesore. Ky efekt mund të lidhet me ndarjen e rrezikut brenda familjes dhe stabilitetin më të madh të burimeve financiare në njësitë familjare të konsoliduara”.

Nga ana tjetër 31% e familjeve konsiderohen financiarisht të qëndrueshme, ndërsa rreth 10% përballen me mungesë të parave për nevojat e përditshme.