TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Pas një pritjeje prej gjashtë muajsh, emisioni “Opinion” në Tv Klan ka transmetuar këtë të hënë, 4 maj, një intervistë ekskluzive me ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, direkt nga qelia e tij në Hagë.
Ish-kreu i UÇK-së ka ndarë reflektime të thella mbi izolimin, duke theksuar se përballë vështirësive fizike, besimi i tij te qytetarët e Kosovës mbetet i palëkundur.
Ish Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi deklaroi me bindje se, pavarësisht faktit që ai po “tretet” në burg, rrugëtimi i Republikës së Kosovës drejt progresit është tashmë një proces i pakthyeshëm.
“E përcjell çka po ndodh në Ukrainë, Lindje të Mesme apo ngjarje të tjera botërore. E kam të përjetuar edhe sjellën “për dikë nënë e për dikë njerkë”. Nuk ka forcë fizike apo furtunë politike, e cila mund të më lëkundë besimin për qytetarët e Kosovës. Edi, sot ndonjë zyrtar apo ish-zyrtar nëpër botë edhe mund të jetë penduat krejt padrejtësisht për pavarësinë e Kosovës. Por, me ose pa Thaçin në Kosovë, ky proces i meritueshëm tashmë ka marrë fund. OK. Thaçi vazhdon të tretet në burg, por për Republikën e Kosovës jam i bindur që do të ketë progres.”
Ai hodhi akuza ndaj përpjekjeve të Serbisë për të kriminalizuar filozofinë e shtetbërjes shqiptare përmes proceseve gjyqësore aktuale. Sipas tij, liria dhe pavarësia janë fitore që nuk mund të zhbëhen më, pavarësisht lëkundjeve të mundshme diplomatike nëpër botë.
“Serbia luftoi shumë ta pengojë lirinë dhe pavarësinë – ka dështuar ta arrijë këtë për mbi tri dekada. Tani përpjekja është si ta kriminalizojë filozofinë e shtet-bërjes. A do të arrijë përmes kësaj gjykate? Nuk dua as ta mendoj. Shpresoj ende ka njerëz me vlerë morale dhe integritet profesional. Gjyqtarët gjatë procesit kanë parë të vërtetën. Të vërtetën e ka parë edhe bota. Vendimi është në dorën e tyre.”
“Më është mbyllur goja…”! Si është dita në izolim? Thaçi thyen heshtjen nga Haga
Pas 6 muajsh përpjekje, emisioni “Opinion” ka arritur që të zhvillojë një intervistë ekskluzive me ish-Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi.
I ndodhur në masa të rrepta sigurie, Thaçi u është përgjigjur pyetjeve të gazetarit Blendi Fevziu me shkrim. Në përgjigje të tij ish-kreu i UÇK flet për luftën në Kosovë, postet e tij drejtuese, si edhe për procesin gjyqësor.
Por si është dita e Hashim Tahçit në izolim, prej 6 vitesh, ja si përgjigjet ai:
Hashim Thaçi: Aktualisht më është mbyllur goja për të folur dhe më janë lidhur duart për të shkruar atë që më do zemra e thotë plotësisht mendja. Në këtë vështirëm, Blendi, do të mundohem të bëj më të mirën për rrethanat ku gjindem. Serbia u mor – e merret kohë të gjatë me mua. Më dënoi në mungesë me shumë vite burg. Në mënyrë të vazhdueshme (1993–97) bastisi shtëpinë, keqtrajtoi dhe arrestoi babanë, nënën, motrën dhe vëllezërit – në hakmarrje ekzekutoi edhe vëllanë e Lumes, Hakiun në masakrën në fshatin Studime të Vushtrrisë në maj 1999.
Në qershor 1999, lufta përfundoi. I takoi botës së shqiptarëve të mbijetuar. Sot “faji” im i vetëm është – pse jam gjallë. Nuk i takoj kategorisë së njerëzve që thonë se burgu është për burra, kjo shprehje më duket bezdisëse. Nuk jam altruist as asket. E kam bërë jetën, nuk jam fshehur prej saj. E kam ndjekur ritmin e maratonës. Rruga ime nuk ishte as fat e as rastësi, është qëllim që buron nga thellësia e botës sime, është e prekshme dhe transparente. Qysh herët e kisha vendosur gjithë qenien time në funksion” të idesë së lirisë.
Vetmia natyrshëm më jep zbrazëti dhe ofron kotësi. Mundohem t’i jap shpirt ambientit në qeli. 24 orët e ditës dhe 365 ditët e vitit janë të njëjta. Humb kuptimi kalendarik i jetës. Ditë-netët sikur kalojnë pa data. Kam reflektuar për Kosovën, për Shqipërinë dhe shqiptarët, për sjelljen e botës në fillim dhe fund të shek. 20 në raport me ne. Jo rrallë harrojmë sa të plandosur dhe të nëpërkëmbur kemi qenë (jo rrallë të trajtuar edhe si mbetje otomane), ndërsa sot sa lart jemi në ngritje dhe proces konsolidimi si komb me mendim dhe status perëndimor.
Liria dhe burgu nuk ngjiten kurrë. Nuk i ndan vetëm muri fizik, por emocioni, të menduarit dhe mënyra se si e sheh, ndjen dhe jeton botën. Izolimi është zgafellë me mungesë horizontesh dhe ashensor që të kalamend fizikisht e, besa, edhe mund të të verbojë. Jo për nga niveli i dioptrisë, por nga i ngatërrimit, apo mënyrës se si i sheh gjërat.
Kujtojmë se më 18 shkurt u mbajt një prej seancave më të rëndësishme në gjyqin në Hagë. Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, patën në dispozicion nga 20 minuta për t’iu drejtuar gjykatës me deklaratat e tyre përmbyllëse.
Që nga 4 dhe 5 nëntori 2020, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë, ku janë Dhomat e Specializuara të Kosovës. Procesi gjyqësor ndaj tyre ka nisur më prill të vitit 2023. Në mbi dy vjet, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) thirri 125 dëshmitarë si dhe ka paraqitur rreth 3 mijë prova materiale.
ZPS-ja deklaroi më 16 prill se ka përmbyllur paraqitjen e provave ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte konfirmuar aktakuzën ndaj ish-krerëve të UÇK-së në tetor të vitit 2020, por e bëri publike vetëm një muaj më vonë.
Aktakuza i ngarkon të akuzuarit për përgjegjësi “personale”, por edhe për “krimet e kryera nga vartësit e tyre”.
Sipas akt-akuzës, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasjen e më shumë se 100 viktimave si dhe mbajtjen në paraburgim në mënyrë të paligjshme e torturimin e qindra viktimave.