TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Policia e Lezhës ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me mbytjen e dy të rinjve nga Kosova në zonën e Ranës së Hedhun, në Shëngjin, ndërsa tre të tjerë, po ashtu shtetas nga Kosova, po marrin ndihmë mjekësore.
Sipas informacioneve paraprake, mësohet se të rinjtë janë futur në det për t’u larë, por si pasojë e dallgëve të shkaktuara nga era e fortë kanë dhënë alarmin se ndodheshin në vështirësi dhe rrezikonin të mbyteshin.
Pas reagimit të Policisë, është bërë e mundur nxjerrja nga deti dhe transportimi i tyre në Spitalin Rajonal Lezhë për marrjen e ndihmës mjekësore.
Fatkeqësisht dy prej tyre, sipas Urgjencës së Spitalit Rajonal Lezhë, kanë humbur jetën ndërsa tre te tjerë vijojnë të jenë në monitorimin e bluzave të bardha.
Njoftimi:
Rreth orës 16:30, shërbimet e Policisë kanë marrë njoftim se në zonën e Ranës së Hedhun, në Shëngjin, disa shtetas që ishin futur në det për t’u larë, si pasojë e dallgëve të shkaktuara nga era e fortë, ndodheshin në vështirësi dhe rrezikonin të mbyteshin.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në adresën e dhënë kanë shkuar shërbimet e Policisë Kufitare, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, si dhe ato të emergjencës.
Falë reagimit të menjëhershëm të qytetarëve me Jet Ski, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë, u bë e mundur nxjerrja nga deti e 5 shtetasve nga Kosova, të cilët u transportuan me urgjencë në Spitalin Rajonal Lezhë për marrjen e ndihmës mjekësore.
Sipas informacionit paraprak nga Urgjenca e Spitalit Rajonal Lezhë, 2 prej shtetasve kanë humbur jetën, ndërsa 3 shtetasit e tjerë po marrin ndihmë mjekësore.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.