TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, reagoi sot pas operacionit të Policisë së Shtetit, për evidentimin e mijëra rrënjëve të dyshuara si kanabis sativa.
Ministri Lamallari përgëzoi Policinë e Shtetit për evidentimin e 7446 bimë të dyshuara Cannabis Sativa në territorin e Njësisë Administrative Velipojë, Shkodër, ndërsa vlerësoi reagimin e shpejtë me masa administrative dhe disiplinore ndaj punonjësve të policisë për të cilët ekzistojnë dyshime të bazuara për mosushtrim të plotë të përgjegjësive funksionale në kontrollin dhe monitorimin e territorit.
“Çdo përgjegjësi individuale do të vlerësohet në përputhje me ligjin dhe standardet profesionale. Kam kërkuar që në çdo rast të tillë të garantohet koordinim i plotë dhe i menjëhershëm ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, në mënyrë që verifikimi i fakteve, hetimi administrativ dhe llogaridhënia institucionale dhe ligjore të zhvillohen me profesionalizëm, efektivitet dhe zero kompromis”, tha ai.
“Ky është standardi i kërkuar nga të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit: përgjegjësi, integritet dhe reagim i shpejtë ndaj çdo shkeljeje të ligjit apo detyrës”, vijoi Lamallari.
Ministri Lamallari ftoi qytetarët që të bashkëpunojnë me institucionet ligjzbatuese, ndërsa i inkurajoi ata që të denoncojnë çdo aktivitet të paligjshëm.
“Informacioni i tyre mbetet një element i rëndësishëm për parandalimin dhe goditjen e kriminalitetit, si dhe për rritjen e efektivitetit të punës së Policisë së Shtetit dhe sigurisë së përbashkët. Lufta kundër kultivimit të lëndëve narkotike dhe çdo forme tjetër të paligjshmërisë mbetet një prioritet i pandryshueshëm i qeverisë dhe Ministria e Brendshme. Rezultatet kërkojnë angazhim të përditshëm, kontroll me përgjegjësi të territorit dhe bashkëpunim të ngushtë me komunitetin”, theksoi Lamallari, ndërsa shtoi se “askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk do të përjashtohet nga përgjegjësia kur dështon të përmbushë detyrën që i është besuar”.