AKTUALITET, 2 Nëntor 2024, 13:34

Marshimi për atentatin e Dobraçit me 3 viktima, prek qytetarja shkodrane: Edhe mua ma kanë vrarë tim bir

Marshimi për atentatin e Dobraçit me 3 viktima, prek qytetarja

Pas atentatit tragjik në Shkodër, ku mbetën të vdekur tre persona dhe një tjetër u plagos rëndë, opozita ka thirrur një protestë këtë të shtunë në orën 12:00 për të nderuar viktimat.

Mbështetës të opozitës dhe qytetarë janë mbledhur para bashkisë së Shkodrës për një marshim solidariteti kundër kriminalitetit.

Mes viktimave janë Hamza Lici, vëllai i Ibrahim Licit, Arlind Bushati, i cili ndërroi jetë në spital, dhe Flutura Basha, kalimtare, ndërsa Bashkim Basha, bashkëshorti i Fluturës, mbeti i plagosur.

Një prej qytetareve, e cila u shpreh se kishte ardhur nga Tirana në mbështetje të Partisë Demokratike për këtë marshim, tha për Euronews Albania se kishte humbur djalin prej 16 vjetësh dhe ende drejtësia nuk e kishte zbardhur plotësisht ngjarjen.

 “Jemi në protestë për krimet që po ndodhin çdo ditë. Edhe mua ma kanë vrarë djalin e vetëm, ka 16 vjet dhe ende drejtësia nuk e ka zbardhur plotësisht ngjarjen. Kjo është qeveria e krimit. Kur arrijnë të burgosin doktor Berishën, neve nuk na ka mbetur asgjë, ja kështu si qentë. Kam ardhur nga Tirana dhe jemi me Berishën deri në vdekje, sepse ai është i vetmi patriot, është burgosur pse ka dhëndrin me para.”

Protesta, sipas opozitës, ka për qëllim tërheqjen e vëmendjes ndaj rritjes së kriminalitetit dhe kërkesën për siguri më të madhe në qytet.