AKTUALITET, 17 Qershor 2026, 12:12

Raporti/ Indeksi Global i Paqes 2026: Shqipëria ndër vendet më paqësore të Ballkanit, renditet e 36-ta në botë, para Greqisë, RMV-së, Bosnjës dhe Serbisë

Raporti/ Indeksi Global i Paqes 2026: Shqipëria ndër vendet më

Shqipëria ka shënuar përmirësim të ndjeshëm në Indeksin Global të Paqes 2026, duke u ngjitur me 7 vende krahasuar me një vit më parë dhe duke u renditur e 36-ta në botë. Sipas raportit të publikuar nga Instituti për Ekonomi dhe Paqe (IEP), Shqipëria grumbullon 1.72 pikë, duke u pozicionuar mes vendeve më paqësore jo vetëm në Ballkan, por edhe në nivel global.

Renditja e re e vendos Shqipërinë në krye të vendeve të rajonit, menjëherë pas Malit të Zi, i cili mban vendin e 34-t në botë me 1.685 pikë. Pas Shqipërisë renditen Maqedonia e Veriut në vendin e 46-të me 1.79 pikë, Bosnja dhe Hercegovina në vendin e 48-të me 1.81 pikë dhe Kosova në vendin e 54-t me 1.83 pikë. Greqia nga ana tjetër, renditet në vendin e 53-të.

Kosova ka përmirësuar gjithashtu pozicionin e saj në raportin e këtij viti, duke u renditur përpara Serbisë. Sipas të dhënave të IEP-së, Kosova zë vendin e 54-t në botë dhe konsiderohet një nga vendet më paqësore në Ballkanin Perëndimor.

Ndërkohë Serbia vazhdon të mbetet më poshtë se shumica e vendeve të rajonit. Ajo renditet në vendin e 70-të në botë me 1.91 pikë, duke u pozicionuar pas Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Kosovës. Diferenca është veçanërisht e dukshme me Malin e Zi dhe Shqipërinë, të cilat ndodhen dhjetëra vende më lart në renditjen globale.

Indeksi Global i Paqes është raporti më i madh në botë që mat nivelin e paqes dhe sigurisë në 163 shtete. Vlerësimi bazohet në tre tregues kryesorë: konfliktet e brendshme dhe të jashtme, sigurinë dhe stabilitetin shoqëror, si edhe nivelin e militarizimit.

Në krye të renditjes globale për vitin 2026 qëndron Islanda, e shpallur vendi më paqësor në botë për të 19-in vit radhazi, ndërsa pas saj renditen Zelanda e Re, Zvicra, Sllovenia dhe Irlanda. Në anën tjetër të listës, Shtetet e Bashkuara renditen në vendin e 134-t në botë.

Raporti/ Indeksi Global i Paqes 2026: Shqipëria ndër vendet më