AKTUALITET, 16 Maj 2022, 09:49

Ligjet: Nuk ka asnjë kandidaturë për President, raundi i parë sot quhet i kryer pa votim

Ligjet: Nuk ka asnjë kandidaturë për President, raundi i

Sot pasdite në Kuvend duhet të zhvillohet raundi i parë i votimit për të zgjedhur Presidentin e ri të Republikës, por komisioni parlamentar i ligjeve që është mbledhur paradite ka konstatuar se nuk është propozuar asnjë emër nga deputetët brenda afatit që përfundonte të dielën në orën 14:00.

Megjithatë, votimi do të konsiderohet i kryer.

Komisioni i Ligjeve u mblodh nën drejtimin e Klotilda Bushkës në  mbledhjen e posaçme për të caktuar kandidaturat për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës në votimin e raundit të parë, i cili do të zhvillohet sot, më 16 maj 2022.

Bushka tha se afati për dorëzimin e propozimeve për kandidatë ka qenë dje në orën 14:00. Sot Komisioni i Ligjeve duhej të mblidhej për të shqyrtuar kriteret kushtetuese për kriteret, dekriminalizimin, integritetin e figurave.

"Sipas njoftimit nga drejtoria përkatës e Kuvendit, - deklaroi Bushka, -  deri dje nuk është paraqitur asnjë kandidaturë për President të Republikës nga deputetë e Kuvendit.

Në këto kushte ne do të duhet të vendosin për kushtet në lidhje me votimin e raundit të parë, që sipas Kushtetutës konsiderohet i kryer pa votim, por për efekt të procedurave do të duhet ta konstatojmë këtë dhe të përgatisim një raport për t’ia paraqitur seancës plenare”, nënvizoi drejtuesja e Komisionit të Ligjeve.