AKTUALITET, 27 Qershor 2026, 20:04

Lamallari: Vendimi për Ikballe Hudutin u bazua në informacione të agjencive ligjzbatuese

Lamallari: Vendimi për Ikballe Hudutin u bazua në informacione të

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari sqaroi sot në një intervistë televizive vendimin për shpalljen si person “të padëshiruar” të Ikballe Hudutit, duke theksuar se masa është marrë mbi bazën e informacioneve të grumbulluara dhe të përpunuara nga agjencitë ligjzbatuese dhe partnerët ndërkombëtarë.

Lamallari u shpreh se institucionet shqiptare mbledhin në mënyrë të vazhdueshme informacione për persona që mund të përbëjnë kërcënim për sigurinë publike, sigurinë kombëtare apo interesin publik.

Sipas tij, Ministria e Brendshme vepron edhe përmes urdhrave të përgjigjes parandaluese, të cilët kërkojnë autorizimin e Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), në rastet kur ka dyshime për financim të terrorizmit, nxitje të dhunës apo të urrejtjes.

“Ne kemi vepruar duke akumuluar dhe përpunuar të gjithë informacionin që kemi disponuar kohë më parë në fakt mbi këtë shtetase, ashtu siç kemi edhe në mënyrë periodike të përditshme, ne mbledhim informacion si agjencitë ligjzbatuese, policia, antiterrori dhe shërbimi inteligjent, në bashkëpunim dhe me partnerët. Mbledhim informacion për shtetas të ndryshëm të cilët po bëjnë kërcënim për sigurinë, sigurinë publike apo atë kombëtare, dhe për interesin publik. Sigurisht, ministri i Brendshëm disponon gjithashtu edhe përmes urdhrave të përgjigjes parandaluese, ku kërkohet dhe miratimi, autorizimi i GJKKO-s, kurdoherë që ka dyshime për financim të terrorizmit, nxitje të dhunës, nxitje të urrejtjes, dhe patjetër domethënë kjo është puna jonë funksionale”, tha ai për Euro News.

Lamallari theksoi se pjesëmarrja në protesta nuk përbën imunitet për individët që, sipas autoriteteve, rezultojnë të kenë aktivitete që cenojnë sigurinë kombëtare.

“Theksoj edhe njëherë që kjo çështje ka të bëjë kohë më parë dhe duhet bërë e qartë për të gjithë, për të gjithë publikun, që ne absolutisht respektojmë të drejtën e çdokujt për të protestuar, po kështu dhe dëgjojmë shqetësimet e çdo protestuesi i cili sinqerisht shpreh mendimin e tij ndryshe. Por, pjesëmarrja në protestë nuk mund të përbëjë kurrsesi imunitet për këtë do që ka një agjendë të caktuar, e dokumentuar kjo edhe nga agjencitë e zbatimit të ligjit”, tha Lamallari.

Ministri paralajmëroi gjithashtu se nuk përjashtohet mundësia që edhe persona të tjerë të shpallen “non grata” nga autoritetet shqiptare, nëse vlerësohet se përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare.

“Çdo javë, unë kam në tryezën time me dhjetëra kërkesa që vijnë nga agjencitë e zbatimit të ligjit. Kjo është një punë dinamike që vijon ditë pas dite. Dhe nëse qëllon që këta persona të jenë qoftë të përfshirë në krim të organizuar, në krime të rënda, në mashtrime, në shantazhe që u bëhen qytetarëve shqiptarë. Nëse qëllon që këta persona marrin pjesë, krahas aktivitetit të tyre të përditshëm, sigurisht thashë të rrezikshëm, marrin pjesë edhe në protestë, kjo nuk do të thotë që ne do të stepemi. Detyra jonë është të bëjmë zbatimin pikë për pikë të ligjit, sepse në fund të ditës, pa dallim të nuancave apo të situatave të ndryshme politike, Policia e Shtetit duhet të jetë në krye të detyrës dhe të mbrojë qytetarët shqiptarë. Dhe, pa u stepur as nga presioni publik që mund të krijohet edhe nga gjykimet e ndryshme që mund të vijnë. Por, patjetër kjo është detyra ime, kjo është detyra e qeverisë shqiptare, për këtë jemi besuar dhe mbi të gjitha prevalon interesi publik”, tha Lamallari.