AKTUALITET, 2 Nëntor 2024, 13:40

Kryetari i BDI, Ahmeti: Prekja e gjuhës shqipe, fuçi baruti. Mickoski të mbajë zgjedhje të parakohshme vjeshtën e...!

Kryetari i BDI, Ahmeti: Prekja e gjuhës shqipe, fuçi baruti.

“Prekja e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe ka për të qenë ‘fuçi baruti’”: Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti nuk e lë të kalojë në heshtje çështjen e përfaqësimin etnik në Maqedoninë e Veriut.

Ahmeti pohoi për REL se heqja e balancuesit në emër gjoja të cilësisë, në fakt do të bëjë që VMRO DPMNE-ka të bëjë përzgjedhjen e maqedonasve, duke nxjerrë pretendime se shqiptarët nuk i plotësojnë standardet.

“ Kjo është bërë me një prapavijë të sofistikuar, që shqiptarët të mos jenë të përfaqësuar në organet e shtetit, në administratën publike, në gjyqësor, prokurori, polici, sepse ata janë të ‘paaftë’, shkollohen nëpër universitete ku diplomat i marrin pa shkuar ‘asnjë ditë në shkollë’”, u shpreh ai.

“Mickoski e pohoi se asgjë nuk ndodh nëse largohen dy-tri dispozita në Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Këto dy-tri dispozitat që përmend ai janë sigurisht fuçi baruti, po i preke. Po u hoq gjuha shqipe nga përdorimi në gjyqësor, prokurori, apo në institucionet e larta të shtetit, do të thotë se gjuha shqipe nuk do të ketë statusin e gjuhës zyrtare. Këto janë gjëra tepër të rrezikshme”, patalajmëroi Ahmeti.

Më tej, kreu i BDI-së nënvizoi se kryeministri Hristijan Mickoski, duhet ta mbajë fjalën për zgjedhje të parakohshme, që do të mbaheshin vjeshtën e ardhshme bashkë me ato lokale.

Tashmë në pozitat e opozitarit, ai ritheksoi angazhimin për ndryshimin e Kushtetutës dhe përfshirjen e bullgarëve në preambulën e saj, Ahmeti ka nënvizuar se me këtë ndryshim, maqedonasit në fakt, nuk do të humbasin asgjë.