AKTUALITET, 30 Mars 2024, 18:32

Kroatja humbi jetën në Malin e Jezercës, shpëtohen shtatë turistët e tjerë të bllokuar

Kroatja humbi jetën në Malin e Jezercës, shpëtohen

Shtatë turistët e tjerë të bllokuar në Malin e Jezercës ku fatkeqësisht humbi jetën një turiste kroate, tashmë janë shpëtuar pas operacionit të përbashkët të kërkim shpëtimit mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Turistja kroate u nxor e pajetë nga Maja e Jezercës këtë të shtunë, pasi rrëshqiti nga lartësia.

Trupi i 43-vjeçares u nxor pas disa orësh dhe u transportua drejt morgut me helikopter. Grupi i aplinistëve kroat ishin ngjitur nga Malit të Zi për të mbërritur në vendin e quajtur “Maja e Jezerces”, por rrugës njëra nga anëtaret e grupit ra nga një terren i thepisur malor dhe me borë.

Reagimi i plotë:

Prej disa orësh, Policia e Shtetit në bashkëpunim me Shërbimin e Urgjencës, Forcat e Armatosura dhe Repartin e Kërkim-Shpëtim të Republikës së Kosovës u përfshinë në një operacion të vështirë në malin e Jezercës, për t’i dhënë ndihmë një grupi aplinistësh që kishin hyrë nga territori i Malit të Zi dhe kishin mbetur të bllokuar në majën e Jezercës. Gjatë operacionit të kërkim-shpëtimit është bërë e mundur nxjerrja e trupit të pajetë i një shtetasje, e cila kishte humbur jetën si pasojë e rrëshqitjes në një zonë të thepisur dhe me borë. Pesë nga alpinistët kroatë të asistuar nga Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës, po kthehen tek e mjetet e tyre, në territorin e Malit të Zi. Dy turistë të tjerë u transportuan me ndihmën e helikopterit në qytetin e Bajram-Currit.