AKTUALITET, 10 Qershor 2026, 21:22

Krijohet rezerva e armatimeve dhe pajisjeve teknologjike për Forcat e Armatosura

Krijohet rezerva e armatimeve dhe pajisjeve teknologjike për Forcat e

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për krijimin e rezervës së armatimeve dhe pajisjeve teknologjike për Forcat e Armatosura, që do të sigurohet nga subjektet e licensuara në fushën e prodhimit dhe tregtimit të armatimeve.

Vendimi është propozuar nga ministri i Mbrojtjes dhe bazohet në ligjin për rregullimin e prodhimit, tregtimit, kërkimit dhe zhvillimit të armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake.

Sipas aktit të miratuar, qëllimi i kësaj mase është garantimi i gatishmërisë së Forcave të Armatosura në rast gjendjeje lufte, si dhe në situata të rrezikut të afërt dhe konkret të një agresioni ushtarak ndaj vendit ose aleatëve të saj strategjikë.

Vendimi përcakton se detyrimi për krijimin dhe mbajtjen e rezervës do të zbatohet nga çdo subjekt i licencuar që ushtron veprimtari në prodhimin dhe tregtimin e armatimeve dhe pajisjeve teknologjike, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Në akt saktësohet gjithashtu se “subjekt i licencuar” konsiderohet çdo person juridik, publik ose privat, që ka marrë licencën për ushtrimin e këtyre veprimtarive.

Ndërkohë, “rezerva e armatimeve dhe pajisjeve teknologjike” përkufizohet si sasia e armatimeve dhe pajisjeve që subjektet detyrohen të mbajnë në dispozicion për Forcat e Armatosura, sipas përcaktimeve të vendimit.

Vendimi parashikon gjithashtu procedurën e “aktivizimit të rezervës”, e cila realizohet me urdhër të ministrit të Mbrojtjes, në varësi të situatave të parashikuara në akt.

Në të përcaktohen edhe elementet kryesore të rezervës, përfshirë sasinë dhe tipologjinë e armatimeve dhe pajisjeve teknologjike që subjektet e licencuara janë të detyruara të mbajnë.