AKTUALITET, 21 Maj 2024, 15:46

15 vite larg drejtësisë, KPA shkarkon nga detyra kreun e KLP, Alfred Balla

15 vite larg drejtësisë, KPA shkarkon nga detyra kreun e KLP, Alfred

KPA shkarkon nga detyra kreun e KLP, Alfred Balla. Pas shqyrtimit të rastit, KPA vendosi largimin nga sistemi të Ballës.

Për Alfred Balllën, ankimoi në KPA Komisioneri Publik. Sipas KPA-së, Alfred Balla nuk duhet që të ushtrojë funksione në drejtësi për 15 vitet e ardhshme.

“Trupi gjykues e gjen të drejtë ankimin e Komisionerit publik duke konkluduar se vendimi i KPK-së është i pabazuar në fakte e ligj dhe si i tillë duhet ndryshuar. Trupi gjykues me shumicë votash vendos ndryshimin e vendimit nr 675 të KPK-së si më poshtë: Ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për Alfred Ballën. Subjekti i vlerësimit nuk mund të emërohet gjyqtar apo prokuror i çdo niveli, anëtar i KLP-së apo KLGj-së, inspektor i lartë i drejtësisë apo prokuror i përgjithshëm për një periudhë 15 vjeçare”, - thuhej në vendimin e lexuar nga anëtarja e KPA, Ina Rama.

Vendimi u dha nga trupa gjykuese e përbërë nga Ina Rama kryesuese, Albana Shtylla relatore, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtar.

PSE U SHKARKUA

Por, çështja ndaj Alfred Ballës nuk lidhej me detyrën e rëndësishme që ai mban në krye të qeverisë së prokurorisë, një mandat që i ka përfunduar  prej 19 dhjetorit ashtu si edhe një funksionareje tjetër, kreut të KLGJ Naureda Llagamit, por me precedentin e hapur nga shkalla e parë e vettingut që e përfshiu në rivlerësimin e trefishtë për shkak të detyrës që kishte mbajtur si ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë para 2017.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në qershor 2023 u shpreh pa një vendim përfundimtar për Alfred Ballën, pra me një vendim që nuk do të thotë as shkarkim dhe as konfirmim në detyrë për shkak se ai rezultoi të mos kishte pasur statusin e magjistratit. Kleçka e çështjes Balla përfshinte një ndërprerje të marrëdhënies së punës e më tej një proces në gjykatë që sipas KPK do të thoshte humbje e statusit as nga vetting dhe as nga dorëheqja e tij, por nga ndërprerja e marrëdhënies së punës. Por, Komisioneri publik e kundërshtoi shkallën e parë të vetting-ut me kërkesën se vetting-u duhet të shprehet me një vendim të qartë.