TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ka nisur seanca e radhës për gjyqin në themel ndaj kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kyemadhi.
Edhe në seancën e sotme Meta ka bërë kërkesë në gjykatë për transmetim live të gjyqit dhe daljen e tij nga kafazi i xhamit.
Ashtu siç ka vepruar edhe më parë, gjykata i ka refuzuar të dyja kërkesat ndërsa ka pranuar vetëm kërkesën për aksesimin e provave digjitale.
Të dy akuzohen për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie dhe do të gjykohen me procedurë të zakonshme.
Gjykata rrëzoi kërkesën e Metës për transmetimin live të seancës, ndërsa kërkesa për daljen nga kafazi, i është rrëzuar me argumentin si të pabaza. Edhe mediat kërkuan që të ishin të pranishme në seancë, por kërkesa e tyre u rrëzua që në nisje dhe Bani urdhëroi daljen e tyre jashtë.
GJKKO pranoi kërkesën e Metës dhe Kryemadhit për t'iu vënë në dispozicion provat hetimore, dhe ato dixhitale.
Kujtim Cakrani: Do doja të ishin kamerat këtu, sepse është një kërkesë publike. Javën e kaluar bëra kërkesë për kafazin e qelqtë. Ua kam bërë ambasadave në Shqipëri, KSHH-së, por jo Avokatit të Popullit, sepse është kot. Ju nuk e pranuat dhe shumë mirë bëtë, sepse GJKKO ka një praktikë që e përdor gjendjen vetëm kur ka interes të saj. Ky është problem i gjykatës.
Dje është bërë një kërkesë nga KSHH dhe KLGJ, ku bazohet në konventat evropiane kërkesa për daljen nga kafazi. Ju, kryetare, e keni rregulluar sallën kaq bukur dhe urime, por duhet të jetë edhe drejtësia si kjo sallë amerikane me të paraburgosurit. Një popull duket nga mënyra si i trajton të paraburgosurit, thotë një shprehje angleze.
Jashtë janë 1000 veta që presin, kolegët, familjarët, miqtë apo, po deshët, edhe militantët që i latë jashtë te gardhi. Kanë të drejtë të jenë në sallë, por kaq është kapaciteti. Edhe KSHH ju ka kërkuar ta hiqni këtë kafaz këtu dje. Na ktheni përgjigje për këtë, që të nisim procesin gjyqësor.
Ilir Meta: Të nderuar anëtarë të trupit gjykues, ta shikoni edhe njëherë çështjen e transmetimit live. S’kam dyshim që rastet që përmendët janë ashtu siç thoni ju. Ashtu edhe ne kemi paraqitur bazat tona ligjore.
Ju citoni mediat e pavarura, ndërsa një raport i fundit i OSBE-së tha se 90% e mediave janë të varura nga qeveria. Nuk shoh asnjë arsye që ky proces të mos jepet live. Ju thoni se publiku mund ta marrë informacionin dhe gazetarët e nderuar që janë këtu mund t’ua transmetojnë, por kemi një raport që thotë se qeveria lejon përhapjen e lajmeve sipas interesave të saj dhe jo në shërbim të opinionit publik.
Çështja e kafazit, pavarësisht vështirësisë së komunikimit, vlerësojeni vetë. Mua s’më shqetëson shumë. S’është çështje për veten time, por për çdo të pandehur në Republikë që s’ka rrezikshmëri për të cenuar procesin.
Kërkesën e parë e kërkova për shkak të funksionit që kam pasur, të dytën jo për shkak të funksionit që kam pasur, por për çdo të pandehur. Nuk kam kryer akte terroriste apo vepra të rënda.
Gjithashtu edhe Kryemadhi kërkoi që të rishikohej USB që i është dhënë për materialet hetimore pasi fjalëkalimi për t’i hapur ato, nuk funksionon.
Monika Kryemadhi: Është e vërtetë që e kam marrë. E kam USB-në, e kam shkarkuar dhe e kam kopjuar. Ka një problem, sepse fjalëkalimi është i gabuar. Kemi marrë edhe laptopin dhe USB-në që t’ua tregojmë. Eksperti izraelit, i cili është paguar 10 mijë USD për ta këqyrur, ose të japë fjalëkalimin.
Për 20 përgjimet ambientale nuk janë në dosje. Janë mbi 20 vendime përgjigjesh dhe nuk kemi as vendimet, as produktin e vendimeve. Janë të rëndësishme, sepse janë marrë pjesë që janë nxjerrë nga konteksti. Shumica e provave janë thashetheme dhe dosja nuk mund të bazohet në këto, por në prova.
Për njerëz si puna jonë, opinioni publik është më i rëndësishëm se gjykimi juaj. Ne nuk jemi njerëz normalë, por publikë. Për një person që u tërhoq në Zvërnec u ngrit populli, kurse presidenti u rrëmbye nga pesë policë, nga të cilët dy janë arrestuar, dhe nuk ndodhi asgjë.
Duke qenë se ka kamera, do të ishte mirë që edhe njerëzit ta dëgjonin dhe të rritej besimi publik. Unë nuk mund të pranoj që pseudogazetarë marrin informacione nga SPAK-u dhe i përdorin për të na linçuar.