AKTUALITET, 1 Korrik 2026, 10:27

“The Albanian Files”/ Protestuesit çojnë Edi Ramën në SPAK: Po dorëzojmë “armën” e krimit

“The Albanian Files”/ Protestuesit çojnë Edi Ramën

Qytetarë dhe aktivistë janë mbledhur para ambienteve të SPAK, për të dorëzuar librin “The Albanian Files”, i cili përmban qindra projekte të arkitektëve të huaj në Shqipëri.

Sipas tyre, ky libër është arma e krimit, që dëshmon se si Edi Rama ka shkatërruar Shqipërinë, duke i caktuar vetë personalisht projektet dhe arkitektët, ndërkohë që ka edhe projekte në zonat e mbrojtura. 

“Në atë libër janë  projektet që një pjesë janë ndërtuar, disa të tjerë do të ndërtohen. Aty është edhe projekti i Zvërnecit që në vitin 2022, ndërkohë që Edi Rama tha se nuk ka projekt. Është arma e krimit me të cilit Rama ka shkatërruar Shqipërinë”, tha një prej aktivisteve.

Aktivistja Sidorela Vatnikaj deklaroi se dorëheqja e kryeministrit është “kërkesa e panegociueshme” e tyre, ndërsa shprehu mbështetje ndaj SPAK për të hetuar kryeministrin.

“Ne qytetarë të Shqipërisë dhe protestues prej më shumë se 31 ditësh në shesh, jemi sot këtu për të sjellë provën, që sipas nesh dëshmon shkeljet më të rënda të kryeministrit. Në këtë libër gjenden 523 projekte të ndryshme. Në këtë libër gjenden dhe mund të lexohen disa prej problemeve më të mëdha të kësaj qeverisjeje. Rama e ka shmangur konsultimin publik. Ligji 21/24 është ligj që është miratuar për shkak të projekteve të ndryshëm që gjenden në këtë libër vite përpara se të ndryshohej ligji.

Në të ka pronarë që nuk kanë dijeni për ekzisteencën e këtyre projekteve. Ka një konflikt interesi mes kryeministrit, arkitektëve dhe biznesmenëve të ftuar sepse Rama është kryetar i KKT dhe vendos për miratimin e këtyre projekteve. SPAK ka mbështetjen tonë për veprimet e deritanishme. Ne s’jemi këtu për drejtësi popullore, por për shtet të së drejtës ku kryeministri i vendit trajtohet dhe hetohet si të gjithë qytetarët e tjerët”, tha Vatnikaj.

Aktivisti Andi Tepelena nga dera e SPAK tha se protesta çdo ditë prodhon akte të forta që delegjitimojnë pushtetin e Ramës. Ai tha se protesta do të vijojë deri në dorëheqjen e kryeministrit. 

“Çdo ditë prodhojmë akte të forta politike që delegjitimojnë qeverinë Rama. Po tregojmë që kjo qeveri është e kapur nga bandat dhe oligarkia. Kjo është rezistenca jonë. Nuk ka afat, do të zgjasë në kohë deri në dorëheqjen e Ramës, të panegociueshme.

Lëvizja është e qëndrueshme, numrat janë të qëndrueshëm. Ka ditë që numrat janë më pak, por te protestat që janë kombëtare numrat trefishohen. Janë metoda me të cilat Rama anatemon njerëzit. Unë kam treguar në disa protesta që jam kundër Ramës. Çdo metodë e tij për të denigruar individë të caktuar mobilizon më shumë qytetarët.

Siç e ka treguar, është vetë pjesëmarrja ajo që do të përcaktojë sesi do të vijohet. Mund të kemi edhe një dhuratë për Ramën më 4 korrik, që Rama ta bëjë ditëlindjen në katundin e vet, por duhet të vihet para drejtësisë njëherë. Data 4 do të jetë e fuqishme, ku do të bashkohen shumë qytetarë. Filozofia jonë është ta çojmë deri në fund protestën paqësore, deri në dorëheqjen e Ramës”, tha Tepelena. 

“The Albanian Files”/ Protestuesit çojnë Edi Ramën