AKTUALITET, 4 Nëntor 2024, 13:41

Kërkesa/ Mandati i deputetit Sinaj, Bardhi letër Spiropalit: Thërrisni Këshillin për Rregulloren, çështja të kalojë në Kushtetuese

Kërkesa/  Mandati i deputetit Sinaj, Bardhi letër Spiropalit:

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi i është drejtuar me një shkresë kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali ku u kërkon të mbledhë Këshillin për Rregulloren në lidhje me mandatin e deputeti të PS, Vullnet Sinaj.

Në shkresë, Gazment Bardhi thotë se 1/10 e deputetëve kanë kërkuar ndjekjen e procedurës parlamentare për konstatimin e papajtueshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit Vullnet Sinaj si dhe dërgimin e mocionit në Gjykatën Kushtetuese.

Bardhi thote se data 18 Shtator 2024, Kryetarja e Kuvendit nuk ka thirrur më mbledhje të këtij Këshilli, duke penguar vijimin e procedurës parlamentare dhe dërgimin e cështjes në Gjykatën Kushtetuese.

SHKRESA

Znj. Kryetare e Kuvendit, Me mocionin nr. 3160 Prot., datë 08.08.2024, jo më pak se 1/10 e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë kanë kërkuar “Ndjekja e procedurës parlamentare për konstatimin e papajtueshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit Vullnet Sinaj” dhe “Dërgimin e mocionit në Gjykatën Kushtetuese për konstatimin e papajtueshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit Vullnet Sinaj”.

Ky mocion nisi shqyrtimin në mbledhjet e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet, duke zhvilluar 2 mbledhje, por nga data 18 Shtator 2024, Kryetarja e Kuvendit nuk ka thirrur më mbledhje të këtij Këshilli, duke penguar vijimin e procedurës parlamentare dhe dërgimin e cështjes në Gjykatën Kushtetuese.

Ky pengim i Kryetares së Kuvendit është një shkelje flagrante e Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, dhe gjithashtu një cënim flagrant i të drejtës kushtetuese të 1/10 së deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Në këto kushte, në përputhje me nenet 70, pika 4, të Kushtetutës dhe nenit 13 e 119/1, të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, kërkojmë:

(i) Të thërrisni mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet për vijimin e shqyrtimit të mocionit të paraqitur nga subjekti kushtetues jo më pak se 1/10 e deputetëve të Kuvendit; si dhe

(ii) Përfshirjen në Rendin e Ditës së një prej seancave më të para të Kuvendit dhe dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese për konstatimin e papajtueshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit Vullnet Sinaj.