AKTUALITET, 24 Qershor 2026, 20:05

Përmbyset kamioni në Librazhd, bllokohet për mbi një orë qarkullimi (Video)

Përmbyset kamioni në Librazhd, bllokohet për mbi një

Një kamion është përmbysur paraditen e sotme në zonën e Drogostunjës, në Librazhd, duke shkaktuar bllokimin e plotë të qarkullimit rrugor dhe vështirësi të konsiderueshme në lëvizjen e automjeteve.

Sipas informacioneve nga vendngjarja, aksi rrugor ka mbetur i bllokuar për më shumë se një orë, ndërsa dhjetëra drejtues mjetesh janë detyruar të presin në radhë të gjata deri në normalizimin e situatës.

Pamjet e siguruara tregojnë radhë kilometrike kamionësh dhe automjetesh të krijuara në të dyja korsitë e rrugës, si pasojë e aksidentit që paralizoi përkohësisht qarkullimin në këtë segment.

Deri më tani nuk ka informacion zyrtar për persona të lënduar, ndërsa pritet ndërhyrja e mjeteve të specializuara për largimin e kamionit nga rruga dhe rikthimin e qarkullimit normal.

Në vendngjarje ndodhen forcat e Policisë dhe shërbimet përkatëse, të cilat po menaxhojnë trafikun dhe po punojnë për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.