TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka komentuar kritikat e ambasadorëve të BE të akredituar në vendin tonë, por edhe të Brukselit, të cilët dënuan sulmet që lideri demokrat i bëri diplomatit të Bashkimit Evropian në vendin tonë, Silvio Gonzato, duke e quajtur atë “ambasador të Ramës”.
Në konferencë me gazetarët, Berisha tha se ka respekt për BE dhe ambsadorët, por nuk u tërhoq nga qëndrimi i tij, duke thënë se “askush s’më ndalon të denoncoj atë që unë e konsideroj të padrejtë”.
Sipas tij, denoncimet që i ka konsideruar të padrejtë i ka denoncuar në vite dhe do vazhdojë ti denoncojë në vazhdim.
“Ajo që komentoj unë, unë u deklaroj shqiptarëve se në mënyrë absolute çdo gjë që kam thënë e kam patur dhe e kam të bazuar të paktën në dy ose më shumë burime. Unë kam respektin më të madhe dhe simpatinë më të madhe për Komisioni Evropian, për ambasadorët, por në mënyrë absolute nuk ka dhe nuk mund të ketë gjë në botë që me pengon mua të denoncoj atë çka unë e konsideroj të papajtueshme, të padrejtë dhe nuk kam ndërmend të ndalem në zinxhirin e komenteve.
Nuk kam asnjë dëshirë të polemizoj, sepse unë kam respekt për KE, PE, përfaqësuesit e vendeve anëtare, por nuk pajtohem kurrë me akte të papranueshme. Ndaj dhe i kam denoncuar jo sot, por vite më parë, vite në vazhdim dhe do ti denoncoj. Të vërtetat nuk i fsheh, nuk do isha ky që jam. Ndaj dhe kjo është përgjigjja ime”, tha Sali Berisha.
REAGIMET PAS SULMEVE QË BERISHA I BËRI GONZATOS
Bashkimi Evropian reagoi dje pas deklaratave dhe sulmeve të Sali Berishës, ndaj ambasadorit të BE në Shqipëri, Silvio Gonzato.
Sipas një zëdhënësi të Komisioni Evropian, deklarata të tilla janë të papranueshme dhe BE i dënon ato me forcë. Në reagim theksohet se ambasadori i Bashkimi Evropian në Shqipëri ka vepruar gjithmonë me profesionalizëm dhe integritet të plotë në detyrën e tij.
Po ashtu, Brukseli shpreh besim të plotë tek ambasadori dhe puna që ai po kryen, duke nënvizuar mbështetjen institucionale ndaj tij.
“Deklarata të tilla janë të papranueshme. BE-ja dënon me forcë sulmet personale të bëra në Ditën e Evropës ndaj Ambasadorit të Bashkimit Evropian në Shqipëri. Ambasadori i BE-së ka vepruar në çdo kohë me profesionalizëm dhe integritet të plotë. Ne kemi besim të plotë tek ai dhe puna e tij”, thuhet në reagimin e plotë të një zëdhënësi të KE.
Një deklaratë e ngjashme u shpërnda edhe nga ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian të akredituar në Tiranë.
Në deklaratë thuhet se ambasadorët qëndrojnë të bashkuar ‘në mbështetje të Ambasadorit të BE-së dhe ekipit të tij, dhe riafirmojmë besimin tonë të plotë në profesionalizmin, integritetin dhe shërbimin e tyre të përkushtuar’.
