AKTUALITET, 25 Qershor 2026, 19:07

Kadastra nis legalizimet në zonat përgjatë hekurudhës Durrës-Tiranë, parashikohet trajtimi i 500 objekteve

Kadastra nis legalizimet në zonat përgjatë hekurudhës

Njësitë 9, 11, Mëzez, Katundi i Ri dhe Kashar, hyjnë në fazën e trajtimit për formalizimin e ndërtimeve informale, ku parashikohet trajtimi i rreth 500 objekteve të pozicionuara përgjatë gjurmës së hekurudhës.

Në bashkëpunim me Hekurudhën Shqiptare është përcaktuar me saktësi gjurma e hekurudhës, duke mundësuar identifikimin e plotë të të gjitha objekteve të ndodhura në këtë zonë. Në këtë kuadër, Drejtoritë Vendore Tiranë Veri dhe Tirana Rurale 2 kanë nisur verifikimet në terren dhe trajtimin e çdo objekti të ndërtuar pa leje ose në kundërshtim me lejen e ndërtimit, që plotëson kushtet ligjore për legalizim, pavarësisht nëse është kryer apo jo vetëdeklarimi në periudhat e mëparshme.

Për objektet e ndërtuara brenda afateve të përcaktuara nga ligji dhe që nuk janë vetëdeklaruar më parë, qytetarët do të kenë mundësi të plotësojnë formularin përkatës gjatë verifikimit në terren dhe të kryejnë pagesën e shërbimit. Ky veprim mundëson nisjen e menjëhershme të procedurës së trajtimit nga ASHK.

Procesi i legalizimit përfshin verifikim të detajuar në terren për secilin objekt, ndaj bashkëpunimi i qytetarëve mbetet thelbësor për përshpejtimin dhe përfundimin e procedurave.

Ftojmë banorët e rreth 500 objekteve të identifikuara në zonat përgjatë hekurudhës të bashkëpunojnë me specialistët e terrenit, për të garantuar një proces të shpejtë, të saktë dhe transparent legalizimi.