AKTUALITET, 20 Janar 2025, 16:09

Italia emëron ambasadorin e ri në Tiranë/ Ministria e Jashtme: Mbështetje anëtarësimit të Shqipërisë në BE

Italia emëron ambasadorin e ri në Tiranë/ Ministria e Jashtme:

Marco Alberti është caktuar si ambasadori i ri i Italisë në Shqipëri i cili pason diplomatin Fabrizio Bucci, të cilit i mbaroi mandati 5-vjeçar.

Lajmin e konfirmoi sot përmes një postimi në rrjetet sociale, Ministria për Çështjet e Jashtme dhe Bashkëpunimin Ndërkombëtar të Italisë.

Ndërsa uroi ambasadorin e ri për detyrën, Ministria për Çështjet e Jashtme dhe Bashkëpunimin Ndërkombëtar të Italisë konfirmoi mbështetjen për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

“Transformimi i një bashkëpunimi strategjik në projekte dhe i projekteve në rezultate. Pasion dhe vendosmëri për të ndërtuar së bashku një të ardhme paqeje, zhvillimi të qëndrueshëm dhe rritjeje gjithëpërfshirëse midis dy popujve miq, duke mbështetur me bindje anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, thuhet në postimin e Ministrisë për Çështjet e Jashtme dhe Bashkëpunimin Ndërkombëtar të Italisë.

Kush është Marco Alberti, ambasadori i ri i Italisë në Shqipëri

Ai është diplomuar me rezultate të larta për të Drejtën Ndërkombëtare në Universitetin e Bolonjës, në vitin 1997. Ka filluar të punojë në sektorin privat.

Në vitin 2000, Alberti është bërë pjesë e Shërbimit të Jashtëm Kombëtar.

Si diplomat karriere ka shërbyer në Buenos Aires dhe Nju Jork, i fokusuar te diplomacia tregtare.

Pas një eksperience profesionale në Departamentin e Komunikimit dhe Marrëdhënieve me Jashtë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, në vitin 2012 Marco Alberti ka punuar për Enel spa, kompania më e madhe në botë për sa i përket prodhimit të energjisë elektrike të gjelbër.

Nga 1 shtatori 2021, ka shërbyer si Ambasador i Italisë në Kazakistan.

Marco Alberti është i martuar dhe ka tre fëmijë.

Italia emëron ambasadorin e ri në Tiranë/ Ministria e Jashtme: