BOTA, 29 Nëntor 2022, 20:22

Itali/ Pacienti vret mjekun kardiolog në zyrën e tij

Itali/ Pacienti vret mjekun kardiolog në zyrën e tij

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin italian të Favaras, ku një mjek kardiolog u vra nga një pacient në zyrën e tij.

Viktima është profesionisti Gaetano Alaimo, 65 vjeç, i njohur dhe i respektuar në qytetin e provincës së Agrigentos dhe në Siçili.

Autor i dyshuar i vrasjes është një 47-vjeçar, i cili u arrestua nga karabinierët. Ngjarja ndodhi në sy të punonjësve të strukturës, e cila përdoret edhe si qendër rehabilitimi kardiologjik.

Autori i vrasjes, 47-vjeçari nga Favara, Adriano Vetro, u ndalua menjëherë nga karabinierët e Favarës , të cilët së bashku me kolegët e njësisë hetimore të komandës së provincës Agrigento u vunë në gjurmët e tij.

Ai u arrestua në shtëpinë e tij ku ishte kthyer pas krimit. Karabinierët gjetën dhe konfiskuan armën e krimit.

Ende nuk është konstatuar kalibri, as nëse ajo ishte apo jo e ndaluar ligjërisht, shkruan "Corriere della Serra".

Adriano Vetro, me sa duket prej vitesh, ishte një pacient i specialistit.

Shkak i ngjarjes dyshohet se mund të ketë qenë ndonjë konflit i së kaluarës mes viktimës dhe autorit.

47-vjeçari  ndodhet në kazermën e Karabinierëve të Favarës dhe po merret në pyetje nga zëvendësprokurori i Agrigento Salvatore Vella.