AKTUALITET, 15 Qershor 2026, 12:57

Ishte në kërkim ndërkombëtar dhe u dënua me burgim të përjetshëm, arrestohet në Belgjikë Gerd Gjinarari

Ishte në kërkim ndërkombëtar dhe u dënua me burgim

Është arrestuar në Belgjikë Gerd Gjinarari, i njohur si Gert Gjenerali. Ky i fundit ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe i dënuar me burgim të përjetshëm.

Ai u dënua me burgim të përjetshëm nga një gjykatë italiane në vitin 1997, pasi vrau “të fortin” e Tiranës, Naim Zyberi dhe në vitin 2014 u ekstradua në Shqipëri, ku Gjykata e Tiranës la në fuqi vendimin me burgim të përjetshëm.

Gjinarari është dënuar nga drejtësia italiane për vrasjen e Naim Zyberit, një prej personazheve më të njohur të botës së krimit në Tiranën e viteve 1990.

Krimi ndodhi në vitin 1997 në një spital në Milano, ku Zyberi po merrte trajtim mjekësor. Sipas hetimeve, Gjinarari dhe Arben Grori hynë në dhomën e spitalit duke u paraqitur si të afërm të pacientit dhe realizuan ekzekutimin me armë zjarri, të cilën e kishin fshehur brenda një buqete me lule. Për këtë ngjarje, Gjinarari u dënua me burgim të përjetshëm nga gjykatat italiane dhe në vitin 2014 u ekstradua në Shqipëri për të vuajtur dënimin.

Në vitin 2019, ai u lirua me kusht nga Gjykata e Korçës, vendim që shkaktoi reagime të forta dhe polemika në opinionin publik. Më pas, Gjykata e Apelit e rrëzoi vendimin e lirimit, duke urdhëruar rikthimin e tij në burg për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit. Pas këtij vendimi, Gjinarari nuk u paraqit për ekzekutimin e masës dhe u shpall në kërkim ndërkombëtar.