AKTUALITET, 1 Mars 2024, 10:02

Ish-ministri Damian Gjiknuri paraqitet në SPAK, momenti kur hyn në godinën e Prokurorisë së Posaçme

Ish-ministri Damian Gjiknuri paraqitet në SPAK, momenti kur hyn në
Gjiknuri në SPAK

Ish-ministri i Infrastrukturës dhe Energjitikës, Damian Gjiknuri është paraqitur në SPAK.

Ende nuk dihet arsyeja e mbërritje s së tij në godinën e Prokurorisë së Posaçme.

Gjiknuri ka qenë edhe herë të tjera në SPAK.

Në shkurt 2023, për gati një orë ai iu përgjigj interesit të prokurorëve në lidhje me një kallëzim të bërë prej tij në vitin 2017, kur mbante pozicionin e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë.

“Në konstatimin e një nga abuzimet më të mëdha në historinë e rrugëve në Shqipëri, e cila ishte kontraktuar me 240 milionë euro dhe përfundoi me një kosto 400 milionë euro. Shpjegimet e mia i dhashë në prokurori dhe nuk kam gjë për të shtuar”, deklaronte Gjiknuri atëherë.

Kallëzimi i ish-ministrit Gjiknuri për abuzime në projektin e rrugës Tiranë-Elbasan erdhi pas shkeljeve të konstatuara nga një raport auditi i ministrisë që drejtonte. Për abuzime me tenderimin e ndërtimit të këtij aksi rrugor në vitin 2018 ish-Prokuroria për Krimet e Rënda vendosi para përgjegjësisë penale ish-drejtuesin e ARRSH, Dashamir Xhika dhe dy vartësit e tij, Albens Alite dhe Aksel Duka.

Më tej dosja u dërgua për kompetencë në Prokurorinë e Tiranës, ndërsa në vitin 2021 Gjykata e Tiranës pushoi akuzat ndaj tyre. Në të njëjtin vendim, gjykata konstatonte se në procedurën tenderuese kishte shkelje dhe i kërkonte Prokurorisë së Posaçme të gjente personat përgjegjës.