AKTUALITET, 9 Nëntor 2024, 18:23

Intervistohen 42 kandidatët për drejtor policie në qarqe, përzgjedhja do të bëhet brenda 10 ditësh nga komisioni

Intervistohen 42 kandidatët për drejtor policie në qarqe,

42 kandidatët në garë për postin e drejtorit të policisë në qarqe, kanë dalë këtë të shtunë përpara komisionit, ku në 20 minuta kanë shpalosur platformën e tyre në rast se u besohet drejtimi i një prej 12 qarqeve.

Sipas rendit alfabetik, i pari që u intervistua nga komisioni i vlerësimit ishte Adriatik Tafçiu, për t’u pasuar më pas nga kandidatët e tjerë. Mes emrave që kanë shprehur interes për të qenë në krye të një prej drejtorive të policisë, janë dhe drejtues aktual. Me mbylljen e procesit të intervistimit, komisioni i përbërë nga 3 drejtues të parë në radhët e Policisë së Shtetit, do të vendosë brenda 10 ditësh, 12 drejtorët e rinj.

Mënyra e përzgjedhjes së drejtorëve të rinj përmes konkurimit përcaktuar në ligjin e ri për Policinë e Shtetit, u aplikua për herë të parë në emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm, Ilir Proda, proces ky i përmbyllur pak javë më parë.