TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Këshilli Europian vijon sot samitin dyditor që nisi të enjten në Bruksel, ku në rend dite Ballkani Perëndimor figuron si pika e 13-të e diskutimeve.
Presidenti i Këshillit Europian, António Costa, në letrën e ftesës drejtuar liderëve të bllokut europian ka përmendur samitin e fundit BE-Ballkani Perëndimor të mbajtur në Tivat, duke theksuar se procesi i zgjerimit po hyn në një fazë të re dhe më dinamike.
Sipas tij, ekziston një “moment i ri” dhe një “hov i ripërtërirë” në këtë proces. BE-ja mban këtë vjeshtë një diskutim strategjik për zgjerimin dhe reformat, gjë që pritet të konfirmohet në dokumentin përfundimtar të samitit të krerëve të unionit në Bruksel.
“Në dritën e vrullit të ri në procesin e zgjerimit dhe duke rikujtuar Deklaratën e Granadës, Këshilli Evropian do të zhvillojë në takimin e tetorit 2026 një diskutim strategjik mbi zgjerimin dhe reformat”, thuhet në draft-konkluzionet e takimit të udhëheqësve, të cilat i ka parë Radio Europa e Lirë.
Pritet që diskutimi i ardhshëm strategjik të përqendrohet në qasjen e re ndaj zgjerimit, e cila ende nuk është formalizuar, por tashmë përmendet në të paktën tri dokumente të publikuara gjatë javëve të fundit. Propozimin e parë e paraqiti kancelari gjerman Friedrich Merz në fund të majit, kur ua dorëzoi institucioneve evropiane të ashtuquajturin non-paper.
Në të, ai hodhi idenë që vendet e Ballkanit Perëndimor të marrin statusin e vëzhguesit në BE, ndërsa Ukraina të fitojë statusin e anëtares së asociuar pa të drejtë vote.